Labirinti i dosjeve të Bashkim Shehut e përkthimi i Proust, fitues të çmimeve në letërsi: Kumbaro: Lexuesi, kryefjala e politikave ndaj librit!

13 Dhjetor 2016, 17:38Kulturë TEMA

Për gjetjen e veçantë artistike që përthyen labirintet e errëta historike në një labirint romanor me një dimension mitik e universal’. Ky ishte motivacioni i jurisë për veprën më të mirë të vitit, që iu dha romanit ‘Fjalor udhëzues për misterin e dosjeve’ e shkrimtarit Bashkim Shehu.

Ishte ministrja Kumbaro, ajo që zbuloi emrin fitues të autorit të vitit, në ceremoninë e ndarjes së Çmimeve Kombëtare të Letërsisë, e cila u mbajt në sallën “Tefta Tashko” në Ministrinë e Kulturës. Kumbaro vuri theksin tek politikat e ndërmarra nga Ministria e Kulturës, të cilat si kryefjalë kanë patur lexuesin dhe nxitjen e tij drejt librit, teksa falenderoi të gjitha shtëpitë botuese për punën e bërë, sidomos ato që botojnë e promovojnë letërsinë shqipe. Në këtë ngjarje të  rëndësishme letrare, ministrja theksoi gjithashtu punën e madhe  dhe politikat e Ministrisë së Kulturës për t’i kthyer përkthyesit dinjitetin e munguar.

Para se të lexonte letrën që Bashkim Shehu kishte nisur pasi nuk mundi të ishte dot prezent në marrjen e çmimit, Kumbaro tha se “Letërsia e mirë nuk bën zhurmë, letërsia e mirë jeton gjatë.”

Romani i Shehut u cilësua si një pikë kulmore në krijimtarinë e tij, në një rrëfim për labirintet historike e metafizike. Një gjetje e veçantë dhe origjinale me dosje e antidosje, në një labirint të pafund ku dhe lexuesi humbet brenda. Një roman që të kujton ndërtimin kafkian tek Procesi.

Ndërsa çmimin ‘Vepra më e mirë e vitit e përkthyer’ e mori përkthyesja Edit Dibra për përkthimin nga frëngjishtja të  romanit ‘Robinja’ të shkrimtarit Marcel Proust me motivacionin ‘Për mjeshtëri në përkthim, duke ruajtur autenticitetin e frazës prustiane me sintaksën e ndërlikuar, prozodinë e saj  dhe larminë e regjistrave të gjuhës’.

Në këtë  ceremoni, Drejtoria e Krijimtarisë së Fjalës dhe Përkthimit vlerësoi me certifikata mirënjohje shoqatat që mbështetën krijimin e minibibliotekave kreative gjatë fushatës së leximit.

Me këtë certifikatë u vlerësua: Këshilli Rinor i Ambasadës Amerikane, Nisma Vullnetare Studentore Shkodër, Qendra Rinore ATA, Kamëz

Gjithashtu certifikatë mirënjohje pati edhe për fushatën #AlbFotoBook në rrjetet sociale me librin në fokus si objekt, për të cilin u vlerësuan Elinda Gjonomadhi, Gerta Kadillari dhe më e vogla e apasionuar pas librave Irel Çupi.

“Vepra e më e mirë e vitit” u përzgjodh nga juria  në mes  pesë veprave të tjera letrare  kandidate për  çmimin ‘Vepra më e mirë e vitit’, si romani  ‘Gurit të varrit ia rrëfej’ e shkrimtarit  Agron Tufa, vëllimit poetik ‘Largësi ideale’ e poetit Parid Teferiçi, romanit  ‘Të gjthë premtojnë Parisin’ e  Nasi Lerës  dhe përmbledhjes me tregime dhe novela ‘Tuneli i dhëndurëve’ e Shkëlqim Çelës.

Përkthimi i Edit Dibrës u përzgjodh si përkthimi më i mirë mes veprave ‘Bukë me sallam’ sjellë në shqip nga përkthyesja Iris Sojli, ‘Fëmijët e mesnatës’ përkthyer nga Ilir Baçi, ‘Rrëfenja e shërbëtores’ përkthyer  nga Engjëllushe Shqarri  dhe ‘Të parët tanë: Viskonti i përgjysmuar, Baroni rebel, Kalorësi i paqenë ’ përkthyer  nga Adrian Beshaj.

Juria e cila  ka shqyrtuar dhe përzgjedhur emrat e kandidatëve  për çmimin “Vepra letrare më e mirë e vitit” dhe “Vepra letrare më e mirë e vitit e përkthyer”, përbërë nga znj. Saverina Pasho në cilësinë e kryetares së jurisë dhe anëtarët: Virion Graçi, Vjollca Osja, Laura Smaqi dhe Beti Njuma.

2 komente në “Labirinti i dosjeve të Bashkim Shehut e përkthimi i Proust, fitues të çmimeve në letërsi: Kumbaro: Lexuesi, kryefjala e politikave ndaj librit!”

  1. Baton Gostivari says:

    PROUST, KRYEGJENIU LETRAR

    Të përkthesh Proustin, alamet punë. Vetëm një person me talent të mprehur prej shkrimtari, poeti e filozofi mund të ketë parakushte për këtë nismë e punë sa të madhe po aq virtuoze letrare.
    Urime!

    Do uroja që autori pas mjaft vitesh të na e shqipërojë edhe romanin psikologjik – Duke rigjurmuar nëpër të kaluarën e vdjerrur.
    Shëndet e të gjitha të mirat!

  2. Baton Gostivari says:

    KRIM GJUHËSOR!

    Si na e zvetënuat shqipen!
    …në ceremoninë e NDARJES së CMIMEVE. Një folje kopje (kallpë) nga sllavishtja….
    Për një evenëment kaq të rëndësishëm kulturor, të shprehemi sipas modelit gjuhësor sllavisht, gjermanisht…
    Ne shqiptarët nuk “ndajmë” cmime, as peshqeshe, as apartamente, as tituj nderi….etj
    Ne thjesht – japim diku…,, nderojmë me…, i akordojmë dikuj…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje