Pasuritë e pajustifikuara, të cilat do t’u konfiskohen politikanëve, gjyqtarëve, prokurorëve, drejtorëve, bosëve të drogës dhe prostitucionit, do të përdoren për të ndihmuar viktimat e krimit dhe të dhunës, për fuqizimin e organeve të reja antikorrupsion si dhe për intensifikimin e hetimeve për aferat korruptive dhe goditjen e krimit të organizuar.
Kështu parashikon projektligji i ri, i cili ndryshon ligjin Antimafia. Shqiptarja.com zbardh variantin e fundit të projektligjit Antimafia, i hartuar nga ekspertët e EURALIUS dhe OPDAT, bazuar në propozimet e bëra nga PAMECA.
Draftin parashikon ndër të tjera ndryshimin e pikës 1 të nenit 37 të ligjit aktual, ku të ardhurat e përfituara nga zbatimi i këtij ligjit Antimafia do të shërbejnë për ngritjen e një fondi të posaçëm për parandalimin e kriminalitetit dhe edukimin ligjor sipas legjislacionit buxhetor.
Konkretisht, paratë dhe vilat që do t’u konfiskohen zyrtarëve të korruptuar dhe njerëzve të botës së krimit do të shkojnë për përmirësimin e funksionimit të drejtësisë penale, për përmirësimin e hetimeve paraprake penale të krimit të organizuar dhe korrupsionit, për zhvillimin e programeve të mbrojtjes së dëshmitarëve dhe të bashkëpunëtorëve të drejtësisë.
Zgjerohet rrethi
Zgjerohet dhe konkretizohet në ligji rrethi i të afërmve të zyrtarëve të korruptuar dhe të njerëzve të krimit, të cilëve do t’u konfiskohen pasuritë e pajustifikuara me të ardhura të ligjshme.
Bëhet fjalë për një rreth njerëzisht, tek të cilët personi i akuzuar mund të fshehë paratë e pista apo pasuritë e paluajtshme, për t’i shpëtuar nga konfiskimi. Kur vërtetohet se disa pasuri i janë transferuar apo janë regjistruar në emër të të tretëve, me veprime juridike fiktive ose të simuluara, gjykata konstaton pavlefshmërinë e këtyre veprimeve juridike.
Në këto raste, ligji i ri parashikon konfiskimin e pasurive në emër të bashkëshortit, fëmijës, të paralindurit, të paslindurit, vëllezërve, motrave, xhaxhallarëve/dajave, hallave/tezeve, nipërve/mbesave, fëmijëve të vëllezërve dhe motrave, vjehrrit, vjehrrës, dhëndrit, nuses, kunatës, kunatit, bashkëjetuesit, thjeshtërit, thjeshtrës, njerkut dhe njerkës.
Personat e tjerë
Sipas projektligjit do të konfiskohet pasuria edhe e personave të tjerë fizikë ose juridikë, për të cilët ka të dhëna të mjaftueshme se pasuritë ose veprimtaritë e tyre zotërohen, pjesërisht ose plotësisht, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, a janë përdorur, kanë lehtësuar apo në një formë kanë ndikuar në kryerjen e veprimtarive të jashtëligjshme nga personat e akuzuar për korrupsion dhe vepra të tjera penale.
Në fushën zbatimi të Antimafias, përpos korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë, është përfshirë edhe ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.