Në Francë, Itali, si dhe në vende të tjera, e majta gjendet në vështirësi ; ajo është e përçarë dhe duket e pafuqishme të reagojë ndaj radikalizimit të partive të djathta. Presidenti François Hollande e ka kuptuar kthesën që ka nisur. Prandaj ai hoqi dorë nga një mandat i dytë. Ky gjest kuptimplotë flet për dobësinë e të majtës e të qendrës së majtë në të gjitha vendet demokratike. Po kështu, fitorja e Donald Trump-it është një shejnë e keqe për progresistët
e moderuar, të cilët e ndjenin veten të pathyeshëm më pak se njëzet vjet më parë. Tashmë radikalizimi i të djathtës kërcënon kapitalizmin konsensual të ndërtuar mbi bazën e shtetit-providencë, që i mundësoi Perëndimit disa dekada paqe sociale e njëfarë mirëqenieje. Shembulli i fundit dhe karakteristik për këtë është Franca… Tërheqja e Hollande u ka dhënë disa shpresa të vakëta socialistëve, dhe disfata në presidencialet austriake e Norbert Hofer-it, kandidatit të ekstremit të djathtë, përballë Alexander Van der Bellen, ish-drejtues i partisë ekologjike, ka ngushëlluar të majtën dhe qendrën e majtë evropiane. “Populli austriak zgjodhi Evropën dhe hapjen” deklaroi i kënaqur presidenti Hollande. Zgjedhjet në kampin socialist francez, në janar 2017, do të vënë ballë për ballë kryeministrin Valls, Montebourg e kandidatë të tjerë. Por fituesi i tyre mund të rrëmbejë edhe një pjesë të zgjedhësve të qendrës të E.Macron, si dhe të majtët e Melenchon-së. Çdo vend ka specifikat e veta. Problemet e presidentit Hollande ishin sa personale e ideologjike, por edhe mbështetësit e tij panë tek ai një njeri të pavendosur dhe që e ndiqnin katastrofat. Por pakënaqësia e opinionit publik ndaj të majtës së moderuar dhe ashpërsimi i të djathtës pasqyrojnë në mënyrë të pamohueshme ngritjen e disa politikanëve që shfrytëzojnë frikën në shumë vende demokratike, përfshirë edhe SHBA. Këta politikanë e përdorin frikën e krijuar nga ndikimi i globalizmit mbi kushtet e jetesës të klasës punëtore, nga emigracioni dhe dobësimi i identitetit kombëtar, si dhe nga aktet e terrorizmit. Në këto kushte, kjo e majtë e moderuar, që e kishte kthyer shpresën për një të ardhme më të mirë në kalin e vet të betejës, duhet ose të mësojë ta ulë këtë frikë te njerëzit, ose ta luftojë atë me energji. E majta mbetet e përçarë, sepse ajo është e paaftë të vendosë se çfarë strategjie duhet të zgjedhë për fitoren, strategji që do të ishte, sigurisht, në kohezion me vlerat e saj. (E.J.Dionne Jr, Courrier international)
Përgatiti: Gjovalin Kola
Èche mbasi je mi gjithmone je tren vonese,e malta fiston n’albanistan