S’ka kallëzim ndaj djalit të Fatos Nanos, policia po kryen veprimet verifikuese...

16 Dhjetor 2016, 08:50Politika TEMA

Policia është “tërhequr” dje nga akuzat e bëra tri ditë më parë në adresë të biznesit të Sokol Nanos, djalit të ish­kryeministrit Fatos Nano. Në ndryshim nga komunikata e së mërkurës, Policia theksoi dje se ende nuk ka bërë kallëzim në Prokurori ndaj Sokol Nanos, pasi çështja është nën hetim paraprak, raporton “Panorama”.

“Më datë 13.12.2016 u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për shtetasin Sokol Nano, 38 vjeç, banues në Tiranë, me arsim të lartë, administrator i një subjekti privat, pasi në lokal iu gjetën dy punonjës të padeklaruar në organin tatimor dhe shërbenin pa kupon tatimor. Nenet 180 e 170/a të Kodit Penal”, thuhej të mërkurën në komunikatën zyrtare të shpërndarë nga Policia e Shtetit.

Por ditën e djeshme, pasi djali i ish­kryeministrit hodhi poshtë akuzat publikisht, e madje akuzoi policët për veprime të paligjshme, ka qenë Policia e Shtetit që ka konfirmuar nisjen e një hetimi për veprimet e uniformave blu. “Në lidhje me veprimet e kryera nga ana e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik në ambientet e lokalit me administrator S.N. (jepet vetëm me iniciale) dhe në komunikatën e datës 14.12.2016 të Policisë Vendore Tiranë thuhej se janë referuar materialet për veprat penale “fshehje e të ardhurave” dhe “punësim i paligjshëm” në ngarkim të shtetasit S. N., ju sqarojmë se: Në lidhje me mangësitë e konstatuara në këtë subjekt, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik në D.V.P. Tiranë janë akoma duke kryer veprimet përkatëse verifikuese.

Sqarimi i policisë

Burimet e Policisë së Shtetit theksuan dje se njoftimi në komunikatën e datës 14.12.2016 ka të bëje me të dhënat paraprake të kryera nga Policia. “Sqarojmë opinionin se referimi në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë nga Oficerët e Policisë Gjyqësore bëhet vetëm pasi merret informacioni i nevojshëm nga agjencitë e tjera ligjzbatuese. Policia njofton se në lidhje sa më lart, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat është duke kryer verifikimet e nevojshme për ligjshmërinë e veprimeve dhe nëse janë zbatuar ose jo të gjitha procedurat standarde të punës nga ana e Policisë”.

Përplasja

Tri ditë më parë, policia njoftoi se oficerët e Antikrimit EkonomikoFinanciar kanë ngritur nga tij akuzat “fshehje e të ardhurave” dhe “punësim i paligjshëm. Në një deklaratë zyrtare, Policia e Shtetit tha dje se gjatë një verifikimi në lokalin në pronësi të 38­ vjeçarit Sokol Nano, në zonën e ish­Bllokut, janë konstatuar dy punonjës të padeklaruar në Tatime.

Por Sokol Nano, i pyetur nga mediat i mohoi akuzat. “Për mua lajmi që ka qarkulluar në media është tërësisht i pavërtetë. Unë as nuk jam thirrur nga Policia dhe as nuk do të thirrem, sepse nuk jam vënë në dijeni. Nuk e di se si mund të bëjë kontroll dhe verifikim Policia në lidhje me atë çfarë është thënë. Këto kontrolle bëhen nga Tatimet, ose nga Inspektorati i Punës. Deri më sot në lokalin tim nuk janë kryer kontrolle të tilla”, ka thënë Sokol Nano.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje