Taulant Balla
Më vjen shumë keq që me paratë e taksapaguesve shqiptarë, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë bëjnë edhe vizita turistike për të ndjekur edhe zgjedhje të vendeve të botës.
U tha këtu dhe u soll si shembull, se në zgjedhjet presidenciale në Amerikë përdoret vetëm numërim elektronik. Kjo nuk është aspak e vërtetë, pasi vetëm 1/3 e shteteve të Amerikës përdorin këtë metodë.
Të gjithë e dimë që rezultati përfundimtar i zgjedhjeve për votat në Amerikë përfundoi tre javë pas zgjedhjeve, dhe ka disa shtete amerikane të cilat janë kundër përdorimit të numërimit elektronik.
Mua më vjen keq që këtu në Parlament merret fjala dhe nuk i referohemi legjislacionit shqiptar. Ne kemi ngritur një komision të reformës zgjedhore me një mandat dhe ai është votuar nga të gjithë, nuk ka pasur asnjë votë kundër. Është rekomandimi i plotë i OSBE/ODIHR.
Çfarë thotë OSBE/ODIHR për çështjen e numërimit elektronik?
Ka qenë një kërkesë e kahershme e tyre pas dështimit në disa vende, që pa kaluar në një proces pilot, të mos kalojmë në një proces kombëtar numërimi elektronik. Dhe unë sot, përsëri në emër të mazhorancës, i kërkoj Partisë Demokratike që të zgjedhë qarkun sipas përcaktimeve të kodit zgjedhor, ku Partia Demokratike, që është forca kryesore në opozitë, të thotë se në cilin qark të bëhet votimi elektronik.
Po sot, i përsëris Partisë Demokratike të caktojë se në cilin qark ka dëshirë, sipas përcaktimit të kodit zgjedhor, të bëhet identifikimi biometrik i votuesve.
Dhe OSBE/ODIHR insiston që pa kaluar përmes një procesi pilot, ne nuk mund ta shtrijmë atë në një projekt kombëtar.
Por kur flasim për reformë zgjedhore, ne duhet t’i referohemi çfarë ka pasur mangësi procesi zgjedhor i dy zgjedhjeve të monitoruara nga OSBE/ODIHR, 2013, 2015.
Dhe ka një kërkesë e cila mbështetet nga të gjitha forcat politike në Shqipëri, me përjashtim të Partisë Demokratike, që është depolitizimi i komisioneve zgjedhore.
Nuk ka mbarëvajtje të procesit zgjedhor në Shqipëri, nëse nuk depolitizohen komisionet. Është e papranueshme që partitë vetë votohen, vetë numërojnë votat. Dhe ne e kemi thënë qartë që prej ditës së parë, kërkon OSBE/ODIHR, praktikë kjo e konsoliduar në të gjitha vendet e OECD, por edhe më gjerë se kaq.
Për reformën zgjedhorë është shumë i rëndësishëm edhe Vettingu, sepse është shumë e rëndësishme ta dinë qytetarët shqiptarë, që nuk mund të jenë në kolegjin zgjedhor ca gjyqtarë të cilët i keni emëruar ju siç doni.
Për t’u kthyer te depolitizimi i komisioneve zgjedhore. Pozicioni i Partisë Socialiste është shumë i qartë, jemi të gatshëm t’i depolitizojmë komisionet zgjedhore. Nëse doni që të shtatë anëtarët, nëse nuk pranoni të shtatë, të paktën njërin, anëtarin e shtatë për të prishur kontrollin e partive politike nëpër komisione. Ju kemi propozuar që anëtarin e shtatë të ZAZ-së të mos e emërojë as Partia Socialiste e as Partia Demokratike, por të emërohet në mënyrë të pavarur nga lista e noterëve publikë. Ka ndonjë njeri në këtë sallë që të mendojë se noterët publikë janë të Partisë Socialiste apo Partisë Socialiste? Jo. Janë profesionistë që e kanë fituar atë betejë me cilësinë dhe profesionalitetin e tyre, le të jenë ata që ta zgjedhin anëtarin e shtatë. Ne duam që komisionet zgjedhore të jenë të shtatë pa parti politike, për t’i garantuar çdo partie politike në Shqipëri paanshmëri të komisioneve. Ju jeni kundër kësaj.
Ky është rekomandimi i OSBE/ODIHR, nuk është kërkesë e Partisë Socialiste. Partia Socialiste ka shprehur gatishmërinë për t’iu përgjigjur pozitivisht këtij rekomandimi.
Dhe për të mos u zgjatur me çështje të tjera të karakterit teknik, ka edhe një çështje tjetër shumë të rëndësishme, sikurse është transparenca e financimit të partive politike dhe transparenca e financimit të fushatave zgjedhore.
Ne këtu kemi sjellë prej datës 11 nëntor një draft, është turp që ju merreni me çështje minore dhe jo me çështje madhore. Në draftin e sjellë prej nesh, ne duam t’i japim fund historisë që i bën qytetet e Shqipërisë gaz i botës duke i mbuluar nga flamuj. 7 flamuj në një shtyllë, për çdo fushatë zgjedhore.
Nuk ka hapsirë reklame në Shqipëri që nuk zihet nga fytyrat dhe banerat e partive politike. Ne duam t’i heqim fare këto. Ke të drejtë të ekspozosh postera të një madhësie të përcaktuar, siç e ka çdo vend europian 30 me 50 vetëm në hapësirat e përcaktuara me ligj, por jo t’ua nxijnë jetën qytetarëve shqiptarë duke vendosur poshtë çdo ballkoni nga një poster. Kjo është si të vrasësh me një gur dy zogj. Nga njëra anë krijohet lehtësim i fushatës zgjedhore dhe nga ana tjetër do kemi reduktim të shpenzimeve përgjatë fushatës. Unë e di, Oerd, që ti do çohesh dhe do thuash këtu në foltore: Jo çakmakët, jo këto, e të tjera me radhë; kjo është qesharake. Çakmakët që ti Oerd merr, nuk di kush t’i paguan. As stilolapsat, as flamujt. Duke i hequr fare këto, ne heqim burimin e pisët që na vjen duke u paguar lloj lloj shpenzimi. Dhe unë propozoj, hajde të bëjmë një ligj që të garantojë që shpenzimi të jetë i barabartë me të ardhurat. Dhe e bëjmë këtë me bindjen se, deri sot në Shqipëri, asnjëherë këto nuk kanë qenë të barabarta, përkundrazi, shpenzimet e deklaruara janë shumë më lart sesa të ardhurat. Dhe duke ulur shpenzimet, ne ulim hyrjen e fondeve të papastra në fushatën zgjedhore.
Kjo është vepra konkrete, platforma partish ka sa të duash, të cilat propogandojnë se po bëjnë reformë. Kjo është reformë. T’i japim kapacitet Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve që të kontrollojë këtë gjë. Partia Socialiste propozon që çdo pagesë të bëhet vetëm me bankë. Hajde ta miratojmë sot propozimin e Partisë Socialiste, nëse doni. Sigurisht, unë dhe ti Oerd duhet të jemi transparentë me kolegët, që kemi marrë sot edhe një material tjetër shumë të vyer nga një ekspert i Këshillit të Europës, Kuendi Rih, për ta përkthyer atë në amendamente. Madje na e ka lehtësuar punën, pasi na i ka dhënë rekomandimet. Unë jam tërësisht dakord me të gjitha rekomandimet e Këshillit të Europës, që t’i përkthejmë ato në amendamente, për të garantuar që transparenca e fushatave zgjedhore të jetë sa më e madhe. Kemi thënë gjithashtu që partitë politike që kanë 25 vjet, të cilat deklarojnë se kanë kryetarë partie që nuk jetojnë më, që statutin e partisë së tyre nuk e depozitojnë ne Gjykatën e Tiranës, duhet ta bëjnë këtë. Ju të PD-së e keni detyrim ligjor të shkoni në Gjykatën e Tiranës që të depozitoni statutin me drejtuesit e rinj të partisë. Keni 25-vjet që mbani Saliun kryetar partie. Keni tre vjet që e keni zëvendësuar Saliun dhe nuk shkoni në Gjykatën e Tiranës për ta zëvendësuar atë. Me ligj nuk mund të merrni dot pjesë në zgjedhje, sepse është faji i KQZ që nuk bën këtë verifikim. KQZ duhet të verifikojë financat; janë 71 parti politike në Shqipëri që nuk depozitojnë mënyrën se si financohen. Por në ligjin që ka bërë Partia Socialiste, thuhet se nuk mund të marrë pjesë asnjë parti politike që nuk bën transparencën. Jemi e vetmja parti në Shqipëri që kemi autorizuar audit të jashtëm të specializuar për financat e partisë, dhe duam që këtë eksperiencë pozitive ne ta shtrijmë në të gjitha partitë politike.
Ju ftoj të shikoni financat e Partisë Socialiste, të shikoni se si monitorohen nga ekspertë, auditues të certifikuar, ndërkombëtarë nëse doni.
Për ta mbyllur, – kisha shumë për të thënë, kërkoj ndjesë që u zgjata, – jemi të gatshëm që me Partinë Demokratike dhe partitë e tjera në Kuvendin e Shqipërisë t’i miratojmë sa më shpejt, kemi zgjatur me 60 ditë mandatin e këtij komisioni, janë mëse të mjaftueshme për të realizuar, nëse doni edhe depolitizimin e komisioneve.
Por, ju jeni kundër. Unë jua mirëkuptoj këtë. Por ka disa zëra racionalë brenda grupit parlamentar të PD-së, që duhet t’i dëgjoni.
Unë e di që brenda PD-së ka dy rryma: një rrymë është t’i bojkotojë zgjedhjet dhe një rrymë tjetër është të bëhet reforma zgjedhore. Unë nuk dua të bëj diversion, ju rekomandoj të hiqni dorë nga bllokimi i reformës zgjedhore.
Jemi të gatshëm të bëjmë një histori të përbashkët në transparencën e partive politike në fushatat zgjedhore, duke ulur shpenzimet dhe duke rritur transparencën.
undefined