Bashkia e Tiranës, dëgjesë me shoqërinë civile për Planin e Përgjithshëm Vendor

27 Dhjetor 2016, 09:44Sociale TEMA

Pjesë e dëgjesës dhe konsultimit të Planit të Përgjithshëm Vendor është bërë edhe shoqëria civile. Pas seancës së parë të dëgjesës të zhvilluar me anëtarët e Këshillit Bashkiak, Bashkia e Tiranës ka organizuar sot pasdite edhe një seancë të dytë dëgjese me përfaqësues të shoqërisë civile të angazhuar të angazhuar jo pak herë në disa nga lëvizjet kundër Bashkisë së Tiranës. Fillimisht ka qënë arkitekti Italian, Stefano Boeri ai që ka bërë një prezantim të detajuar të këtij Plani, ndërsa më pas Drejtori i Përgjithshëm i Urbanistikës, në Bashkinë e Tiranës, Ditjon Baboçi dhe ekipi i tij i janë përgjigjur pyetjeve dhe interesit të shprehur nga të pranishmit në këtë dëgjesë.

 “Për sa i përket procesit ligjor janë bërë 3 dëgjesa formale, janë shpallur 45 ditë përpara në regjistrin e integruar të territorit, janë bërë 24 dëgjesa joformale në njësitë administrative ku janë takuar banorët dhe administratorët dhe gjithashtu janë bërë dhe 98 apo 99 takime me arkitekt, me shoqatën e arkitektëve, atë të ndërtuesve, është bërë dëgjesa publike sa i përket aspektit mjedisor, me grupet e ndryshme interesi”, tha Baboçi duke bërë një përmbledhje të të gjithë punës kolosale që është bërë për hartimin e këtij Plani. Baboçi bëri të ditur se plani parashikon një Tiranë shumë herë më të gjelbër dhe më të pastër dhe kjo falë edhe idesë për krijimin e pyllit orbital, ku janë parashikuar që në 15 vitet e ardhshme të mbillen afro 2 milionë pemë.

 Ai gjithashtu theksoi se edhe në Planin e ri të Përgjithshëm Vendor parashikohet që të ndërtohet infrastruktura e duhur arsimore dhe sociale e cila do t’i përgjigjet zhvillimit që merr qyteti në vazhdimësi. Për këtë janë parashikuar që të ndërtohen minimum 20 shkolla të reja që do të zgjidhin dhe çështjen e mësimit me dy turne. Një aspekt tjetër i rëndësishëm i këtij dokumenti është edhe krijimi një Tirane policentrike me 5 qendra. Rëndësi i jep Plani edhe ndërtimit të unazave të reja të qytetit, dy prej të cilave do të jenë të dedikuara për këmbësorët dhe biçikletat.

3 komente në “Bashkia e Tiranës, dëgjesë me shoqërinë civile për Planin e Përgjithshëm Vendor”

  1. Malo says:

    C,far shume parash i duhen Kryetarit te Bashkise Z.Erjon Veliaj qe te hape nje direktori ne faqen e Bashkise Tirane me kete plan te ri rregullues? Kjo do te ishte nje gje e mire per qytetaret dhe asnje harxhim per bashkine. Do te shikonte cdo qytetar i interesuar si do te zhvillohet lagjia e tij e dhe Tirana ne teresi.

  2. cun Tirone says:

    Genjeshtra, Genjeshtra , Genjeshtra , Genje ….

  3. Qytetari says:

    Me ke ishte degjesa civile? Ku dhe kur u kryen keto? Kush ishin te ftuar? Kush ishin ekspertet e pavarur? A ishte bere paraprakisht njoftimi mbi degjesen duke iu permbajtur te gjithe procedurave standarde te percaktuara ne ligj? Si ka mundesi qe nuk u degjua me asnje cep qe do kishte nje degjese te tille, por u njoftuan qytetaret e Tiranes vetem pasi ishte bere fakt i kryer? Si mund te behet degjese publike nga administrata e Bashkise ne nje dite pushimi zyrtar? Si ka mundesi qe ne pergjigjen e Bashkise jane dhene numrat e degjesave te pretenduara te bera, por asnje e dhene se kur dhe ku jane kryer faktikisht? Eshte cudi se si sa here do Edi apo Edi 2.0 te beje ndryshime ne status quo qe i interesojne shoqerise se tyre, i bejne ne raste festash, apo pushimesh, kur shqiptaret e kane mendjen ne vend tjeter. Edhe ju si media e konsoliduar bejini ndonjehere keto pyetje, e mos u beni sahanlepires te pushtetit, se jeni bere patetik, si tellalli personal i Edit dhe Erionit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje