“Sytë tanë dhe vëmendja jonë është te ju dhe fëmijët tuaj, për t’jua bërë jetën dhe kushtet e jetesës më të mira”.
Kështu u shpreh ministri i Brendshëm Saimir Tahiri gjatë aktivitetit në Qendrën Kombëtare Tranzitore të Emergjencave në Tufinë.
“Shpresoj që bashkë me drejtoreshën, me Kryeministrin dhe me ekipin e Qeverisë, të jemi në gjendje t’ju ndihmojmë sa duhet dhe sa ju e meritoni. Dua vetëm t’ju uroj Gëzuar Vitin e ri, qoftë viti 2017 më i mirë për ju!”, uroi Tahiri.
Aktiviteti u përshëndet dhe nga Drejtoresha e Qendrës Kombëtare Tranzitore të Emergjencave, Mariola Kote, e cila falënderoi Tahirin për praninë në aktivitetin festiv me dhurata për fëmijët, organizuar për të dytin vit radhazi nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë në qendrat e kujdesit social.
Për gjithë fëmijët e qendrës u shpërndanë dhurata dhe u organizua një festë me animatorë, duke u dhuruar disa orë gëzimi këtyre fëmijëve në nevojë.