Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u bëri thirrje firmave kontraktore të mirëmbajnë akset rrugore për shkak të kushteve të motit.
Gjatë mbledhjes të Zyrës Operacionale të Situatave në Kryeministri, ministri Tahiri theksoi se aktualisht të gjitha akset nacionale janë të kalueshme.
“Iu bëj thirrje të gjitha kompanive që kanë marrëdhënie kontraktuale me shtetin shqiptar për mirëmbajtjen dhe hapjen e rrugëve. Janë përgjegjëse që në rrugë të mos ketë ngrica. Kjo është pjesa më e rrezikuar veçanërisht në zonat e thella.
Për shkak se kemi marrë masa ditë më parë, sot të gjitha akset nacionale janë të kalueshme pa zinxhirë, por ulja e temperaturave e bën akoma më të vështirë veçanërisht në zonat veriore dhe veri lindore të vendit’’, u shpreh ministri.
Tahiri shtoi se edhe pse situata pritet të jetë e vështirë nga ana e të gjitha institucioneve janë marrë masa për të përballuar këtë situatë.
‘’Parashikohet, siç u tha, që situata të jetë më e vështirë. Ndaj Drejtoria e Rezervave të Shtetit, së bashku me pushtetin vendor në çdo qark, ka marrë masa që të ketë një infrastrukturë të minimumit jetik për të gjithë ata që do kenë nevojë për ndihmë nga ana e shtetit lidhur me bazën ushqimore apo veshje, për shkak të temperaturave të ulëta.
Të gjitha burimet njerëzore të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të gjitha agjencive që përballen me detyra konkrete në rast të emergjencave civile janë të gatishmëri. Duhet edhe ndihma e qytetarëve për t’i bërë sa më të lehta këto ditë të vështira për shkak të motit”, tha ndër të tjera ministri Tahiri.