A do ta lejojë Evropa Gjermaninë të udhëheqë?

7 Janar 2017, 16:33Bota TEMA

Nga Marcel Fratzscher *

Berlin – Votimi pro Brexit në Mbretërinë e Bashkuar, humbja e kryeministrit italian Mateo Renci në referendumin mbi ndryshimet kushtetuese dhe dorëheqja që pasoi, dhe zgjedhja e Donald Trampit si president i Shteteve të Bashkuara, kanë krijuar një vakum pushteti në Perëndim, dhe në Evropë. Në një kohë kur Evropa ka nevojë të marrë vendime të rëndësishme të përbashkëta ekonomike dhe në politikën e jashtme, çështjet e brendshme janë duke shqetësuar shtetet e mëdha anëtare të Bashkimit Evropian si Franca, Britania e Madhe, Spanja, dhe Italia. Për pasojë, ekziston një presion në rritje mbi kancelaren gjermane Angela Merkel dhe qeverinë e saj për t’u ngritur dhe udhëhequr.

Por ndërsa Gjermania dëshiron të dëshmojë lidership, ajo ka nevojë për partnerë evropianë që janë të gatshëm të angazhohen dhe bëjnë kompromise. Kritikët e Gjermanisë, kanë të drejtë kur thonë se Berlini mund të jetë më i hapur ndaj propozimeve mbi politikat e ndryshme nga ana e shteteve të tjera anëtare, por shumë nga ankesat kundër Gjermanisë kanë qenë të padrejta – dhe shpesh vetë-shërbyese.

Për shembull, qeveria gjermane është akuzuar shpesh për shmangien e solidaritetit evropian, në përgjigje të krizës financiare të vitit 2008. Por, ndërsa masat gjermane kanë qenë ndonjëherë të vonuara, apo të keq-konceptuara – si propozimi për një “Grexit të përkohshëm” – qeveria gjermane ka rënë ndërkaq dakord edhe mbi programet e shumta të shpëtimit, për krijimin e Mekanizmit për Stabilitet Evropian, si dhe një bashkimi bankar të BE-së. Për më tepër, Gjermania ka mbajtur barrën më të madhe financiare.

Gjermania është kritikuar gjithashtu pse nuk ka rënë dakord për të nënshkruar eurobonot, dhe për kundërshtimin e një unioni të transfertave. Por këto kritika nuk janë bërë gjithmonë në mirëbesim:shtete anëtare si Franca duan të ndajnë rrezikun, pa dorëzimin e sovranitetit të mjaftueshëm mbi politikëbërjen ekonomike. Qeveria dhe qytetarët e Gjermanisë janë më të hapur se shumë të tjerë për një integrim më të thellë në kuadër të BE-së, që kërkohet për ta bërë euron më të qëndrueshme, duke përfshirë edhe bashkimin fiskal.

Por për të arritur këtë, të gjithë partnerët duhet të ecin përpara sa i përket ndarjes së sovranitetit të politikës dhe rrezikut. Një kritikë e tretë që bëhet ndaj Gjermanisë, është se ajo angazhohet në sjellje të tipit “lypi fqinjit tënd”, duke ndjekur politika kufizuese fiskale, të cilat kanë krijuar një tepricë anormale të llogarisë korrente, afërsish sa 9 përqind e PBB-së.

Kjo ka qenë realisht e gabuar. Por mbetet para së gjithash një problem i Gjermanisë. Ndërsa Gjermania ka një boshllëk të madh investimesh, që godet produktivitetin e brendshëm dhe rritjen ekonomike, nuk është fajtorja kryesore prapa rritjes së vakët, papunësisë së lartë, konkurrencës së ulët, dhe të këqijave të tjera ekonomike në vendet e eurozonës.

Duhet pranuar se shumë nga politikëbërësit gjermanë kanë shkuar në rrugë të gabuar, me fiksimin e tyre ndaj masave shtrënguese fiskale, dhe me kritikat e tyre ndaj politikës monetare të Bankës Qendrore Evropiane. Por ata janë me të drejtë të frustruar nga ritmi i ngadaltë i reformave ekonomike në të gjithë BE-në. Në përgjithësi, gjermanët janë thellësisht pro-evropianë, dhe qeveria gjermane ka bërë më shumë për Evropën se sa i njihet si meritë.

Gabimet e lidershipit janë të lehta për t’u identifikuar dhe kritikuar në retrospektivë. Një ushtrim më konstruktiv, është që këto vendime të gjykohen në kuadrin e informacionit që ishte në dispozicion në kohën kur ato janë marrë, dhe të përdoren mësimet e të shkuarës për zgjedhjet e ardhshme.

Me përftimin e kësaj përvoje, qeveria gjermane – dhe në fakt çdo qeveri – do të kishte vepruar ndryshe në lidhje me krizën e borxheve greke, politikën fiskale, referendumin Brexit, e kështu me radhë. Pra, një pikë më e drejtë referimi për udhëheqjen gjermane, janë gjurmët e ndjekura nga qeveritë e tjera të mëdha evropiane. A do të qe Evropa vërtet më mirë sot, nëse qeveria gjermane do të kishte ndjekur rrugën që ndoqën qeveritë franceze, britanike apo italiane gjatë viteve të fundit?

Edhe nëse Merkeli qe e vonuar në reagimin e saj ndaj krizës në Itali dhe Greqi, ajo ka treguar nga ana tjetër një tolerancë të jashtëzakonshme, mendje të hapur, dhe largpamësi. Në dy fusha kryesore – adresimin e krizës së refugjatëve dhe përballjen me agresionin rus – qeveria e saj ka treguar më shumë solidaritet evropian, se sa shumica e shteteve të tjera anëtare.

Për më tepër, Merkel dëshmoi një lidership të shëndoshë në përgjigjen e saj ndaj fitores së Tramp. Ajo e uroi këtë të fundit, dhe i ofroi atij marrëdhënie të ngushta pune, por vetëm mbi bazën e “vlerave të përbashkëta” si “demokracia, liria, si dhe respektimi i sundimit të ligjit dhe dinjitetit të secilit dhe të çdo personi”. Ajo është gjithashtu partnerja më e rëndësishme, dhe më dashamirëse për qeverinë britanike në prag të negociatat të ardhshme mbi Brexit.

Vlerësimi popullor për Merkelin, mbetet zilia e udhëheqësve të tjerë evropianë, dhe ajo mund të kreytarja e vetme jopopuliste e qeverisë në mesin e vendeve më të mëdha perëndimore. Referendumi i 4 dhjetorit i vitit të shkuar mbi ndryshimet kushtetues në Itali, mund të ketë qenë këmbana finale e alarmit për zgjimin e Evropës, për të vepruar së bashku me qëllim adresimin e ndarjeve sociale, ekstremizmit politik, si dhe thellimin e krizave ekonomike dhe politike.

Qeveria gjermane duhet të mësojë nga gabimet e saj të fundit, duke vazhduar të jetë një udhëheqëse për Evropën. Por s’mund ta bëjë këtë e vetme. Qeveritë e tjera të BE-së duhet të ndalen së godituri Gjermaninë, si një mënyrë për të shmangur vëmendjen nga dështimet e tyre. Në vitet e fundit, sulmet e tyre kanë shkuar shumë larg, dhe kanë qenë kundërproduktive. Gjermania ka nevojë që partnerët e saj të ulen në tryezë, dhe të angazhohen në një dialog konstruktiv në lidhje me zgjidhjet konkrete për krizën gjithnjë e në thellim të Evropës. /bota.al

Përkthyer dhe botuar ekskluzivisht nga www.bota.al me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate – Will Europe Let Germany Lead?

3 komente në “A do ta lejojë Evropa Gjermaninë të udhëheqë?”

  1. Gjyshi says:

    Gjermania e Pasur , Gjermanet e Varfer .
    Ne vitin 1995 Qendrat e Shperndarjes se Ushqimit
    per te Varferit ne Gjermani Ishin 35 ,
    Kurse ne Vitin 2014 jane bere me shume se 990 !
    Sa i mire eshte ky Gjermani !

    Nga viti 2000 deri ne vitin 2011 ,
    Gjermania ka miratuar rfeformat jo Standart
    me paga shume te Vogla
    duke ulur edhe rrogat e KLASES se mesme ,
    duke e çuar ne Nivelin e varferise .
    Ndermarjet Gjermane Fale shfrutezimit te puntorve
    [[[[[[[[[[[[ shume prej tyre emigrante , qe paguhen me qindarka ]]]
    tashme ja dolen te jene me Konkuruese
    20% 3 gjermaneve fiton me pak se 8 euri ne ore
    3 milion me pak se 6 euri ne ore
    e 2 milion gjermane me pak se 5 eruro ne ore.
    Ne disa ndermarje Kasaperie , Puntoret
    paguheshin 1 euro per çdo therje .
    Pune KA , por Mungojne Specialistet Edvinian te Rilindur edhe ne Gjermanine e Merkelizuar .

    29% e puntorve GjermAN Te detyruar edhe se punojne
    te kerkojne ndihme ekonomike shtetit .
    Duke ju referuar Kufirit te Varferise se vitit 2013
    ne gjermani ishte 952 euro ku
    775 euro jane shpenzimet mesatare te Qerase ,
    Qe sipas llogarive vetem 10% e rroges ngelet per te mbajtur Frymen e shpirtit me Buke .

    Keto jane te dhenat me te ulta per Europen ,
    Vlen edhe per Qytetet me te pasura si Frankfurti me 16 % te Qirave te varfera ,
    ku 22% e femijve dhe te Adoloshenteve varen nga Ndihmat Sociale .

    E gjithe Europa , dhe Jeta EKONOMIKE E çdo banori EUROPIAN
    SOT
    eshte e varur ne Fillin e TAPERINGUT te BCE Draghiane.

    Gjermania nuk eshte se ka Gabuar Rastesisht ,
    Por ky eshte nje Progarm i Mire Studiuar ne Tavoline .,
    per NenShtrimin e popujve duke u Hequr edhe Sovranitetin .
    Euro nuk eshte nje Monedhe ,
    POR eshte Mekanizmi per nen Shtrimin e popujve .

  2. pse mor qafir-Albaniac says:

    ….OK po ne na i intereson se kush eshte pergjigje e Europes per trekendeshin BE/USA/Ballkan…
    Nje skenar/ pergjigje mund te jete:
    …teper shqetesues jo vetem per Ballkanin por dhe me tutje…me nje White House te corientuar, me kosekuencat e BREX-it, me Marie Le Pen qe ka nje bilete antiBE tashme dhe qe te fitoje presidencen franceze…. per BE presidenca e Le Pen do te jete nje goditje shume e forte dhe nqs kjo do te ndodhe (polls qe po behen tregojne se nuk ka shume shance…) atehere efekti domino tek “populiste” te tjere dhe nacionaliste te tipit Hofer, Wilders and Frauke Petry ne zgjedhjet e 2017 eshte i pashmangshem…dhe perseri Ballkani do filloje te zjeje si ne fund vitet 90″ dhe qe eshte ne benefit te Moskes dhe Dodikut te Bosnjes(Republika Srpska)…
    Nqs Trump dhe BREX-it nuk i kane “treguar” Brukselit akoma qe BE eshte perballe krizes me te madhe ne Europe atehere fjalet e Le Pen p dyshim jane teper kercenuese—“Their world is collapsing and ours is being built” per Brukselin….
    Per Ballkanin perendimor qe po “shkelyhet” per te qene ne BE, do te ishte nje katastrofe dhe terheqja ose mungesa e BE/Nato do te rikthente konfiktet e qe akoma jane te nxehta…qe jane teper aktuale me thirrjet e Dodik per referndum dhe shkeputjen nga Bosnja…e vetmja politike qe po e mban keete gadishull ne kete stad qetesie eshte niveli i larte i konsensusit nderkombetar dhe asgje tjeter….
    Me nje BE te dobet dhe me nje White House pro Putinit, ndoshta me Le pen Hofer ne background nuk eshte e veshitre te mendohet per nje recesion ekonomik dhe lindje konflikti ne Ballkan(Bosnja e para) dhe me qeverite armiqsore dhe islamofobe te Amerikes Europes te gjithe kate myslimane (shqiptare boshnjak) ku do ti drejtojne syte? ??? flamuri i zi eshte nje kerrcenim serioz dhe duhet te merret seriozisht jo vetem nga shqipot si qeveri (Kosove shqiperi Maqedoni) por eshte e detyrueshme qe BE te nderhyje qe “dje” sepse eshte shume vone tashme….

    Nga ana tjeter nje skenar me i mundshem do te ishte qe “BE gets its shit together” nje perteritje e BE me aftesite e saj dhe fuqine ekono-ushtarake/NATO (dihet qe Trump shume shpejt do te largoje US te pakten nga roli udheheqes ne NATO) te kunderpeshoje dhe te zbythe Mosken… nje Europe e bashkuar eshte nje problem per Trump dhe Putini e di shume mire se sa dhembin snksionet e BE.
    BREX- it shkon dhe vjen dhe Britania can vete sic ka bere ne shekuj….
    I mbete detyre Europes qe mundet dhe duhet, qe te komunikoje dhe te unifikoje te gjithe banoret e saj te merzitur , te plotesoje te gjitha kerkesat e tyre , pa braktisur parimet themeltare europjane, te vendose rregull dhe prosperitet ne shtepine e saj dhe te sinjalizoje Ballkanin qe e mban gjithmone ne qender te vemendjes, me seriozitet—sepse kjo ne fund te fundit kjo eshte ajo qe duam ne.

    Shume mrekulli praktike mund te ndodhin njekohesisht ne Europe dhe ne na mbetet per detyre qe ato te ndodhin…

  3. says:

    Kancelarja do takohet me mbretin filip të belgjikës këtë të enjte. Kandidatura për presidentin e parlamentit europian do jetë menyja bisedimeve

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje