Zyra Operacionale e Emergjencave u mblodh paraditen e së martës nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama për të evidentuar problematikën e krijuar nga moti i ftohte që ka mbërthyer vendin në këtë fillimviti.
Kryeministri Rama tha se strukturat shtetërore po tregojnë përgjegjshmëri maksimale dhe efikasitet të lartë në përballimin e kësaj situate, duke shpëtuar dhe jetë njerëzish të bllokuar nga dëbora, sidomos në zonat e thella malore.
“Nisur nga volumi i madh i pasojave besoj se bilanci i deritanishëm është mjaft pozitiv. Nuk po hyj në detaje pasi kemi informacion të përditësuar çdo 60 minuta nga i gjithë territori. Por, bëhet fjalë për efikasitet dhe një situatë nën kontroll. Edhe gjendja e rënduar me epideminë e gripit është drejt përmirësimit, gjë që e tregon dhe numri në rënie i vizitave në spitale dhe qendra shëndetësore”, u shpreh kryeministri.
Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Sokol Dervishaj apeloi qytetarët që të përdorin zinxhirët gjatë lëvizjes me automjetet e tyre në veri të vendit.15941513_943771205722382_9169105161552808369_n
“Ndiqni informacionin dhe sygjerimet e autoriteteve për kalueshmërinë e rrugëve. Bllokimi i një makine pa zinxhirë në një aks bën të vështirë ndërhyrjen e mjeteve të pastrimit. Apeli im është që asnjë mjet të mos lëvizë, për asnjë lloj arsyeje, pa zinxhirë apo pa gomat përkatëse”, deklaroi ministri Dervishaj.
Kreu i MTI-së, Dervishaj bëri të ditur se ka prezencë bore, ngricash, era të forta e temperatura shumë të ulëta, por theksoi ai, e gjithë infrastruktura përkatëse është në gatishmëri. Dervishaj u shpreh se mbeten problematike akset rrugore në veri të vendit, ndërsa të gjitha akset në Shqipërinë e Mesme dhe atë të Jugut janë të kalueshme pa probleme.
Duke folur për situatën në aeroporte, ministri Dervishaj tha se të dy këto aeroporte janë në gjendje optimale. “Aeroporti i Kukësit në rast emergjence të veçantë është në gjendje optimale në rast se do të duhet dislokim i avionëve”, tha ministri.
Ndërsa drejtori i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi pohoi situatën nën kontroll, kjo përmes një menaxhimi shumë të mirë dhe koordinimi mes emergjencave civile dhe autoriteteve vendore, ku janë zhvilluar disa operacione të vështira në zonat e thella malore.