Tahiri shkon te familjet me probleme në Klos: Strukturat e shtetit në këmbë!

10 Janar 2017, 13:10Sociale TEMA

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka inspektuar nga afër situatën për shkak të kushteve të motit në Klos të qarkut Dibër, ku për banorët janë shpërndarë ndihma ushqimore. Në fjalën e tij ministri Tahiri ka deklaruar se të gjithë strukturat e shtetit janë në këmbë.

“Është kjo arsyeja pse të gjitha rrugët nacionale janë të zhbllokuara  dhe po punohet në rrugët rurale për zhbllokimin e tyre dhe për të mos pasur probleme nga bora. Ndërkohë që po punohet intensivisht për t’iu gjendur pranë të gjitha familjeve që kanë probleme për shkak të izolimit në zonat e thella malore, në mënyrë që të mos iu mungojë asgjë, si nga ushqimet, ashtu edhe nga veshmbathjet, për të bërë gjithçka është e domosdoshme që të mos kemi pasoja të rënda në jetën dhe shëndetin e njerëzve. Ky është dimensioni solidar dhe social i qeverisë ndërkohë kemi marrë masa për t’iu gjetur pranë të gjithë njerëzve që kanë probleme”, tha ministri Tahiri

Ministri i Brendshëm theksoi se  është e domosdoshme që të ndihmojmë njëri-tjetrin në mënyrë që të përballohet kjo situatë.

“Nuk ka cep të Shqipërisë sot që nuk arrijmë për të ndihmuar njerëzit dhe familjet në nevojë. Sigurisht që ka shumë punë, ka shumë nevojë. Ka familje që janë të izoluara. Kjo do pak kohë dhe duhet dhe pak ndihmë nga njerëzit. Ndaj është e domosdoshme që  të ndihmojmë njëri tjetrin, më së pari duke bërë të  mundur një lloj planifikimi minimal për të përballuar këto ditë të vështira dhe pastaj duke lajmëruar institucionet përkatëse sa herë ka situata vështirësie ku  kërkohet ndërhyrja e institucioneve shtetërore dhe emergjencave për të përballur motin e vështirë”, shtoi ndër të tjera ministri Tahiri.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje