Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka inspektuar një nga pikat e kontrollit të blicit rrugor të ngritur në Durrës.
Duke ju referuar shifrave, ministri Tahiri deklaroi se që nga muaji shtator e deri në fund të vitit 2016, vetëm për shkak të vendosjes së rripit të sigurimit u shpëtuan 29 jetë në aksidente ndërkohë janë ndëshkuar rreth 30 mijë qytetarë për mos vendosjen e rripit.
‘’Për ne është një sfidë madhore dhe kjo është një nga ato betejat që duhet ta fitojmë patjetër dhe do e fitojmë patjetër. Ne duhet t’i japim fund përdoruesve të rrugës me makinë që nuk përdorin rripin e sigurimit. Statistikat janë të qarta.
Janë shpëtuar 29 jetë qytetarësh vetëm nga përdorimi i rripit të sigurimit. Do të ishin përndryshe 29 qytetarë të vdekur për shkak të aksidenteve dhe mos lidhjes së rripit të sigurimit. Ne kemi përcaktuar këtë prioritet në Policinë Rrugore. Do jetë prioriteti ynë madhor edhe për vitin 2017.
Pra ne duam që në fund të këtij viti, historia e të dhënit të makinë pa rrip sigurimi të jetë një histori që i përket të kaluarës dhe të mos ketë asnjë lidhje me Shqipërinë që duam të ndërtojmë’’, tha ministri Tahiri
Ministri Tahiri i ka kërkuar dhe një herë të gjithë drejtuesve të mjeteve që të vendosin rripin e sigurimit ndërkohë ka paralajmëruar të gjithë shkelësit se do të marrin ndëshkimin maksimal nga Policia Rrugore.
‘’Nëqoftëse ke një makinë, në qoftë se përdor rrugën: lidh rripin e sigurimit dhe pastaj përdor rrugën. Kjo është kaq e thjeshtë. Dhe unë besoj në vitin 2017 kjo duhet të hyjë te betejat që ne do e fitojmë patjetër.
Ne duhet të harrojmë përfundimisht përdorues të rrugës me mjete të cilët në vitin 2017 nuk vënë akoma rripin e sigurimit. Kjo duhet t’i përkasë të kaluarës’’, shtoi ndër të tjera ministri Tahiri.