Tuneli i Berlinit; Si përgjoi CIA komunistët në Berlinin lindor

23 Janar 2017, 18:12Dossier TEMA

Nga Albana M. Lifschin

Para vënies në shërbim të avionëve spiunë U-2, një nga sukseset më të mëdha të CIA-s konsiderohej Tuneli i Berlinit. Shërbimi inteligjent amerikan e ndërtoi këtë tunel në Berlinin lindor duke bërë të mundur të regjistronte kështu të gjitha bisedat telefonike midis shtetit të Gjermanisë lindore dhe ushtrisë së kuqe të Bashkimit Sovjetik.

Për ndërtimin e tunelit u shfrytëzua një vënd rreth afro 1km, i bombarduar në rrethinat e Berlinit. Puna për ndërtimin e këtij tuneli mori 4 muaj. U punua në mënyrë të maskuar ndihmuar nga fakti që aty pranë po ngrihej një bazë ajrore amerikane. Puna për ndërtimin e bazës ishte një maskim shumë i mirë për punimet që bëheshin për gërmimin e tunelit. Kompania amerikane e telefonave “Bell” solli atyekspertët e saj për të instaluar telefonat e CIA-s kështuqë telefonatat prej Berlinit komunist, duke përfshirë edhe ato me Moskën,Varshavën, Pragën, Budapestin, Bukureshtin dhe Sofjen, kalonin nëpërmjet sistemit të përgjimit të shërbimit inteligjent amerikan. Në tunel brënda kishte ajër të kondicionuar si edhe sistem ngrohës.Kishte zyra, fjetore dhe ambjente argëtimi.

Personeli i shërbimit ishte 24 orë në punë dhe specialistë në të gjitha gjuhët e Evropës lindore. Ata përgjonin bisedat që bëheshin në shtabin e ushtrisë së kuqe në Pankou, ambasadën sovjetike në Berlinin lindor, gjithë ministritë e Gjermanisë lindore si edhe linjat private të shefave të mëdhenj sovjetikë dhe atyre të Gjermanisë lindore. Bisedat telefonike vinin për analiza nga specialistët e CIA-s në Washington. Asnjë bisedë nuk nënvleftësohej. Tregohej kujdes që sovjetikët dhe Gjermania lindore të mos binte në erë të kësaj pune. Operatorët gjermanë të shërbimit telefonik nuk duhej të diktonin rënie të fuqisë së linjës gjë që mund të ngjallte dyshime.

Sidoqoftë puna nuk ishte pa rreziqe. Në dimrin e 1955 kur stuhia e dëborës kishte mbuluar Berlinin, diku mbi tunel nganxehtësia e brëndëshme e sistemit ngrohës, dëbora kishte shkrirë duke krijuar kontrast me trashësinë e dëborës përreth. U dha alarmi dhe sistemi ngrohës në zyrat e tunelit u mbyll menjëherë. Qe fat i madh që dëbora mbuloi përsëri dhe ajo pjesë e zhveshur u zhduk.Natyrisht, punonjësit e CIA-s brënda në tunel u desh të punonin me pallto derisa koha u ngroh përsëri dhe dëbora jashtë qe shkrirë.

Një incident tjetër i cili ngjalli frikën e zbulimit nga rusët ndodhi nga pakujdesia e përgjuesve të bisedave telefonike. Ishte fjala për një bisedë private midis një komandanti të ushtrisë së kuqe dhe gruas së tij. Gruaja qe shtatzanë dhe priste të lindte. Një nga gjeneralët amerikanë, që kishte dëgjuar bisedën e tyre telefonike, qëlloi të ndodhej në një ceremoni të përbashkët të organizuar në Berlin ku qe ftuar edhe komandanti sovjetik. Në pritje u servirën pije alkolike. Një moment gjenerali amerikan u ndodh përballë komandantit sovjetik dhe tha: “Dëgjova që së shpejti do bëheni baba. Urime. Shpresoj që djali juaj do bëhet po aq i zoti sa edhe i ati.”

Përkthyesi i gjeneralit, që rrinte pranë tij, u mat të bënte përkthimin por në moment gjenerali kuptoi gafën që kishte bërë dhe me një  lëvizje të menjëhershme, si padashur pengoi përkthyesin i cili u rrëzua përtokë. Duke u përkulur mbi të për ta ndihmuar të ngrihej gjenerali i pëshpëriti: Mos e përkthe atë frazë! Thuaj diçka të përgjithshme për miqësinë midis dy popujve tanë. Incidenti u raportua urgjentisht në shtabin e CIA-s dhe u ndenj me zemër të ngrirë derisa të verifikohej nëse komandanti rus dinte anglisht. U mësua që ai madje nuk dinte as gjermanisht.

Tuneli i Berlinit funksionoi normalisht pa u zbuluar për 9 muaj derisa më në fund u dekonspirua nga dubël agjenti anglez Xhorxh Blejk. Policia e Gjermanisë lindore dhe agjentët sovjetikë në Prill 1956 shpërthyen në tunel por gjetën aty vetëm filxhanët e kafes mbi tavolinë”./ VOAL

3 komente në “Tuneli i Berlinit; Si përgjoi CIA komunistët në Berlinin lindor”

  1. shaqo says:

    Ministrja Kumbaro, tani ka rastin te hapi BUNK-ART 3.
    Suksese zonja ministreeeeeee.

  2. Nje lexues.. says:

    Tuneli u mbyll se CIA e mori vesh qe Blejk e kishte dhene informacion te Ruset qe diten qe filloje te funksionoje tuneli..d,m,th para 9 muajsh.Kete munde ta vertetoni te libri qe eshte shkruajtur per agjentin Blejk..

  3. Alfred says:

    sa te pa informuar qe jeni. Sherbimi inteligjent sovjetik e mesoi qe pa filluar hpja e tunelit, qe kur u mor vendimi ku present ishte edhe agjenti Blejk. Situata u kontrollua nga ana e ruseve per 9 muaj rrjesht dhe nuk u ndjene me qellimin e vetem qe te mos dekonspironin agjentin e tyre shume te rendesishem Blejk. lexoni biografine e agjentit Blejk dhe do kuptoni qe historia e tij eshte nje nga historite me te demshme qe ka pesuar CIA ne historine e saj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje