“Tramexani punon si i fiksuar, Sadiku duhet të arrijë të tjerët”

30 Janar 2017, 17:18Sport TEMA

Një javë para ndeshjes debutuese zyrtare të Paolo Tramexanit në pankinën e Luganos, presidenti i kësaj skuadre, Anxhelo Renxeti, ka dhënë opinionin e tij si rreth trajnerit, ashtu edhe rreth sulmuesit Armando Sadiku i cili i është bashkuar gjatë janarit kësaj skuadre.

“Tramexanin nuk arrita ta afroja në verë, pasi ishim shumë pranë fillimit të kampionatit dhe bisedimet po zgjatnin. M’u desh të hiqja dorë atëherë. Por tani skuadra është shumë e përqendruar dhe e ndjek trajnerin, u kthye filozofia e punës. Jam i bindur se Tramexani do të bëjë një karrierë mjaft të suksesshme.

Ai rrezaton energji, është gjithmonë i vëmendshëm dhe punon si i fiksuar. Ka disa karakteristika që më pëlqejnë, zemërgjerësi dhe kurajë”, tha Renxeti për trajnerin të cilin ia rrëmbeu Kombëtares shqiptare të futbollit, shkruan Panorama Sport.

Sipas tij, edhe afrimi i Sadikut ishte pak meritë e Tramexanit, meqë të dy kanë miqësi bashkë. “Nënshkrimi me të ishte edhe për shkak të rrethanave, pasi Aguirre kërkoi të largohej dhe Roseti u dëmtua. Ai është shumë i lidhur me Tramexanin dhe presim shumë prej tij. Ka pasur disa dëmtime, ndaj nga pikëpamja fizike, duhet të arrijë në nivelin e të tjerëve”, deklaroi numri 1 i skuadrës së Luganos.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje