Shqipëria është pjesë e tregut të përbashkët rajonal, europian dhe më gjerë, ndaj është shumë e rëndësishme që të dalim në treg me produkte të mira, të çertifikuara dhe të sigurta për konsumatorin, si brenda dhe jashtë vendit. Në këtë kuadër procesi i Akreditimit merr një rëndësi esenciale si një garanci biznesin dhe konsumatorin. Kështu u shpreh Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Znj Milva Ekonomi gjatë një konference të zhvilluar sot në mjediset e Hotel Tirana me titull: “Akreditimi- përfitim për biznesin, garanci për konsumatorin”, organizuar nga Drejtoria e Përgjitshme e Akreditimit, institucion në varësi të MZHETTS.
Aktualisht sot numri i organeve të akredituar nga Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit është 64, nga të cilat 39 janë laboratorë testues, 3 laboratorë mjekësorë, 3 laboratorë kalibrues, 3 organe certifikues të sistemeve të menaxhimit dhe 3 organe certifikues të personelit dhe 13 trupa inspektuese. Akreditimet pothuaj janë dyfishuar në krahasim me 2013, kur ishin të akredituara vetëm 33 organe çertifikuese. Drejtoria e Përgjithshme të Akreditimit, së fundi ka nënshkruar Marrëveshjen e Njohjes Reciproke në Organizmat Evropiane dhe Ndërkombëtare të Akreditimit për fushën e testimit. Ky është një lajm i mirë për gjithë laboratorët e akredituar nga ky institucion shqiptar, pasi gjithë certifikatat e lëshuara nga këta laboratorë të akredituar, do të jenë ekuivalente dhe të pranuara në nivel Evropian.
Ministrja Ekonomi shprehu entuziazmin e saj për këto arritje, duke shtuar se fakti Shqipëria arriti të firmosë marrëveshje të ketij lloji tregon se ka angazhim serioz të institucionit përkatës shqiptar por dhe interesim të madh të sipërmarrjes në drejtim te përmirësimit të cilësisë së produkteve që duhet të dalin në treg. Ministrja kërkoi vazhdimin e punës me të njëjtin instensitet me synimin final për të patur produkte sa më cilësore për konsumatorët vendas dhe të huaj. Ajo shprehu gjithashtu kënaqësinë që pikërisht sot, në këtë aktivitet akreditohen 5 trupa të reja certifikuese, të cilat do të garantojnë më shumë cilësi në treg.
Lëvizja e lirë e mallrave dhe shërbimeve kërkon që produktet dhe shërbimet vendosen në tregjet importuese vetëm pas demostrimit se ato plotësojnë kërkesat e sigurisë sipas legjislacioneve përkatëse. Akreditimi është një mjet për reduktimin e barrierave teknike në tregti, i cili eleminon ritestimin dhe ricertifikimin e produkteve përpara se produkti të vendoset në vendin importues. Risi e DPA është ofrimi i skemës së akreditimit tek laboratorët mjekësor, laboratorët e verifikimit metrologjik, organet certifikues të personelit dhe trupat inspektuese në fushën elektrike.
Fjala e plotë e Ministres Ekonomi:
Procesi i akreditimit është i domosdoshëm në vendin tonë, pasi jemi pjesë e disa marrëveshjeve tregtare.
Shqipëria ka katër marrëveshje të tregtisë së lirë që kanë të bëjnë me mënyrën se si ne operojmë me zonën e Bashkimit Europian, zonën CEFTA, zonën EFTA dhe marrëveshja e tregtisë së lirë me Turqinë. Fakti që ne kemi këto marrëveshje të tregtisë së lirë dhe që synojmë të kemi një treg të përbashkët tregon se palët kanë nevojë të kenë në treg produkte që janë të mira, të çertifikuara, produkte të sigurta për konsumatorin, ndaj dhe vjen natyrshëm përmirësimi gjithmonë e më shumë i akreditimit. Duke qenë se punojmë në tregun e kontrollit të sigurisë së bashku me disa agjenci që varen nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes duhet vazhdimisht të konsultohemi edhe me strategjitë europiane të këtyre fushave.
Strategjia Europiane e Akreditimit që shkon deri në vitin 2025 ka një moto “From Good to Great”. Pra është shumë e rëndësishme të kuptohet cilësia me të cilën ne duhet të bëjmë akreditimin, sepse nga ana tjetër ne na kërkohet të vendosim në treg disa sisteme, por nuk është problemi vetëm t’i hedhim në treg, por edhe t’i mbajmë, t’i kemi të qëndrueshme këto lloj procesesh që kryejmë. Prandaj kjo lidhet jo vetëm me aftësimin e agjencisë, por lidhet edhe me aftësimin e vazhdueshëm të trupave certifikues, verifikues, trupa inspektimi që kanë të bëjnë me disa fusha sidomos me pjesën e laboratorëve.
Nga ana tjetër duhet që edhe agjencia shtetërore publike të përgjigjet me të njëjtin ritëm me të cilin përgjigjet sipërmarrja. Kur dëgjoni se agjencia ka nënshkruar disa marrëveshje bashkëpunimi, sidomos marrëveshja e njohjes reciproke me organizmin ndërkombëtar të akreditimit të laboratorëve, padyshim që është një ngjarje e rëndësishme për Shqipërinë. Të gjithë bashkë duhet të besojmë se nuk arrihet lehtësisht një marrëveshje e këtij lloji, kjo tregon se nga pala zyrtare, por edhe nga sipermarrja ka një angazhim serioz, dhe ky fakt duhet t’ju bëjë krenar të gjithëve, sepse ia kemi dalë që të kemi këtë marrëveshje.
Së fundmi kemi folur për inspektimet online, ku trupat inspektuese do fillojnë të bëjnë inspektime të tilla. Gjithë bota lëviz drejt asaj që quhet e-services, dhe ne padyshim që nuk mund ta lëmë akreditimin pa menduar për procesin e e-akreditimit. Edhe këtu është e nevojshme bashkëbisedimi midis akreditimit dhe sipërmarrjes, pasi duhet të jetë diçka e qëndrueshme që nuk duhet të mungojë në kohë. Ne kemi një sistem të brendshëm që matim detyrat dhe për ne nuk është e rëndësishme vetëm momenti kur bëhet një aplikim akreditimi, por momenti kur ju e përfitoni një proces akreditimi, prandaj për ne matja e cilësisë së punës së kësaj agjencie lidhet dhe me faktin që sa akreditime bëhen konform rregullave në tregun e sipërmarrjes shqiptare. Duhet të kuptoni se është e domosdoshme të rritim cilësinë dhe sasinë e volumit të punës që ne kryejmë.
Jam shumë e kënaqur që sot do kemi pesë biznese që do përfitojnë nga procesi i akreditimit. Faleminderit që jeni mbledhur sot këtu, faleminderit shumë për rrugën e gjatë që keni kaluar për të patur këto rezultate.
Bravo komshije, je yll bote nga mendja dhe bukuria!