Një pajisje e re e Krioterapisë (Cryotherapy) dhe Diagnozës Endobronkiale, e cila rrit gamën diagnostikuese, por edhe trajtuese, të të gjithë sëmundjeve pulmonare, duke filluar që nga kanceri i mushkërive, por edhe sëmundje të tjera të sistemit respirator i është shtuar ditët spitalit universitar “Shefqet Ndroqi”.
Investimi me vlerë rreth 50 mijë euro vihet për herë të parë në përdorim në Shqipëri. Përveç diagnozës, e cila ndihmon në marrjen më të lehtë të biopsisë, kjo pajisje realizon gjithashtu edhe marrjen e një pjesë më të madhe të indit që ndihmon në rritjen e përqindjes të përcaktimit më të saktë të diagnozës, bën të ditur Ministria e Shëndetësisë në një njoftim për shtyp.
Falë kësaj pajisjeje, afro 800 nga 2 mijë pacientë që i nënshtrohen çdo vit procedurave endoskopike, do të mund të bëjnë endoskopi me teknologji moderne dhe ky shërbim do t’ju ofrohet tërësisht falas.
Dr. Ilir Peposhi, shef i shërbimit të Bronkoskopisë në spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”, shprehet se blerja e kësaj pajisjeje është një ndihëm e madhe edhe për mjekun për përcaktimin e diagnozës, duke shtuar se një pajisje e tillë po përdoret sot në spitalet më moderne në Europë.
“Është një aparaturë, e cila ndihmon pacientin, ndihmon dhe mjekun. Është një ndër trajtimet më të reja dhe në botë të kancerit bronkopulmonar ose ai që quhet trajtimi multimodal. Pra, një ndër modalitetet e trajtimit është pulmonologjia intervencionale, e cila realizohet nga kjo aparaturë, që tashmë është prezente në spitalin tonë. Është një ndër aparaturat e para e cila nuk ka ekzistuar asnjëherë në spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi””, shprehet Dr. Peposhi.
Ai shton gjithashtu se para blerjes së kësaj pajisjeje, “vështirësia ka qenë dhe e jona dhe e pacientit dhe kjo do të na lehtësojë shumë punë qoftë për diagnozën nëpërmjet kësaj aparature qoftë në trajtimin e sëmundjeve të ndryshme.
Sipas tij, kjo aparaturë ka vlerë të madhe në shërbim të pacientit, në rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj pacientit, por dhe në ndihmë të mjekut .