Pas çmimit të marrë nga vendi i tij, Italia, Giani De Biasi, e di se tashmë e pret një sfidë e vështirë kundër axurrëve dhe jo më kot ai së bashku me ndihmësit e tij po ndjekin kuqezinjtë në skuadrat e tyre ku aktivizohen.
Edhe De Biasi, si të gjithë shqiptarët, e pret me shumë emocion sfidën e 24 marsit me Italinë, por sipas tij, të rëndësishme janë të gjitha ndeshjet, prandaj do të merren një e nga një, sepse secila ka specifikën e vet.
Në një intervistë për televizionin “Telesport”, trajneri i Kombëtares shqiptare tregon përgatitjet që po bëhen për sfidën e radhës dhe shanset që ka Shqipëria në eliminatoret e Botërorit “Rusi 2018”.
Së pari ai flet për alternativat e mundshme për zëvendësimin e dy mungesa pas kartonëve të kuq në ndeshjen e fundit me Izraelin.
“Duhet edhe një muaj e gjysëm deri te ndeshja me Italinë dhe nuk dihet se në çfarë situate do të jenë futbollistët deri atëherë. Kështu që nuk mund ta them që sot se kush mund të zëvendësojë Gjimshitin dhe Berishën. Futbollistët kanë për të zhvilluar ndoshta edhe 6 ndeshje me skuadrat e tyre, kështu që do të shohim…” – u shpreh tekniku italian.
Pyetjes nëse do të ketë prurje të reja për sfidën me Italinë, De Biasi i përgjigjet:
“Nuk e di, ashtu siç e thashë edhe më parë, ne do të shohim çfarë do të ndodhë me lojtarët, se si do të paraqiten gjatë kësaj periudhe. Ne jemi duke ndjekur me vëmendje dy lojtarë të rinj, që mund të shërbejnë edhe kombëtares U-21 të drejtuar nga Alban Bushi, për shembull Ndoji që luan te Breshia, një lojtar që sipas meje mund të bëjë gjëra të mira dhe ne po e ndjekim me mjaft kujdes. Është një mesfushor me mjaft interes. Kemi edhe lojtarë të tjerë që ndjekim, por për momentin nuk po them emra.”