Mesfushori Edon Hasani ka dhënë një intervistë për faqen zyrtare të klubit në “Facebook”.
Shkodrani ka folur edhe për zërat e fundit mediatik në lidhje me të. Ai tregon se do të japë maksimumin për Kukësin dhe se nuk ka një çështje “Hasani” në skuadër, pasi grupi është më i bashkuar se kurrë për qëllimin e vetëm titullin kampion.
Situata – “Kam lexuar dhe dëgjuar shumë gjëra ditët e fundit në lidhje me mua apo të ardhmen time. Të them të drejtën nuk më shqetësojnë aspak këto zëra mediatik, pasi unë jam i përqendruar te skuadra e Kukësit dhe do të jap maksimumin tim deri në ditën e fundit që do të jem këtu. Më vjen keq që këto zëra dalin në një periudhë që skuadra është në përmbushjen e objektivave, por unë dua të garantoj të gjithë tifozët kuksianë se grupi dhe ekipi është më i bashkuar se kurrë për qëllimin e vetëm fitimin e titullit kampion”.
Mosaktivizimi– “Ato janë zgjedhje të trajnerit dhe unë si profesionist duhet t’i pranoj dhe ashtu kam bërë. Kjo më motivon që të punoj edhe më shumë në stërvitje për të bindur profesor Gjokën. Sa herë të më jepet mundësia do të jap 100 për qindshin tim në fushën e lojës”.
Titulli – “Jemi në rrugën e duhur, pasi të gjitha strukturat e klubit me në krye presidentin kanë punuar shumë për të arritur deri në këtë pikë që jemi. Kampionati sapo ka filluar, pasi tani fillon faza më e vështirë dhe ne duhet të mos tregohemi euforik, por të qendrojmë me këmbë në tokë. Besoj te ky grup dhe jam i sigurt se do të bëjmë mire”