Shqipëria “rrëshket” sërish në renditjen e Fifa-s, dhe këtë herë faji është i… Afrikës.
Në klasifikimit e muajit Shkurt, Kombëtarja Kuqezi pozicionohet në vendin e 55, duke humbur katër vende në krahasim me Janarin, edhe pse nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje për këtë 2017.
Lëvizjet në klasifikimin e FIFA-s, për këtë muaj në fakt i dedikohen më së shumti Kupës së Afrikës, me skuadrat e këtij kontinenti që kanë ngjitur pozicione falë impenjimit të tyre në këtë turne.
Në Europë, takimet e Kombëtareve kanë qenë inekzistente në fakt ndërsa dhe në Amerikën e Jugut janë luajtur vetëm disa miqësore, edhe ato me “pikatore”. Për sa i përket rivalëve në grupin e Shqipërisë në eliminatoret e Botërorit, në fakt ka ngjiitur një vend kundërshtari i ardhshëm i De Biasit, Italia që renditet e 15-ta në Botë, nuk ndryshon pozicion Spanja që mbyll 10-shen e parë, ka zbritur pesë vende, kundërshtari ynë direkt Izraeli që tashmë ndodhet në shkallën e 60-të të klasifikimit, zbret 3 vende dhe Maqedonia që është e 165-ta në botë, ndërsa klasifikimi mbyllet me Lihtenshtejnin në vendin e 187.
Nga lëvizjet e fundit ka përfituar gjithsesi Kosova, me përfaqësuesen më të re të kontinentit që ka ngjitur një shkallë duke u pozicionuar në vendin e 165, duke arritur kështu Maqedoninë. Asnjë ndryshim ndërkohë për sa i përket zonës së lartë të klasifikimit ku vazhdon të kryesojë Argjentina, e ndjekur nga Brazili, Gjermania dhe Kili.