Gjoka: Ndaj Partizanit janë të treja rezultatet. Titulli? Kemi treguar një nivel të lartë organizativ

24 Shkurt 2017, 15:46Sport TEMA

Trajneri i Kukësit, Ernest Gjoka, ka folur për ndeshjen e fundjavës kundër Partizanit që do të luhet të dielën në “Zeqir Ymeri”.

Në një pronocim për mediat, Gjoka tha se kjo sfidë i ka brenda të treja rezultatet por Kukësi do të ketë si synim fitoren.

“Është ndeshje elitare, mes dy konkurrentëve kryesorë për kampionatin shqiptar. Duhet vlerësuar maksimalisht për të arritur marrjen e suksesit. Futbolli i ka tre rezultatet, por këto ndeshje bëhen për t’u fituar sepse largohesh nga rivali kryesor dhe vazhdon rrugën drejt objektivit madhor. Nuk është dëshirë, është garë, dhe gara duhet të fitohet. I tillë është momenti që rivalin duhet ta mundim patjetër që ta lemë mbrapa. Duke pasur parasysh këtë gjë, atëherë alternativa e vetme është fitorja.”

I pyetur për shanset për të fituar titullin kampion, Ernest Gjoka, tha se kampionati është ende i gjatë, por theksoi se në 5 vitet e fundit Kukësi ka treguar një nivel shumë të lartë organizativ.

“Kampionati është i gjatë. Jemi tre skuadra për titullin kampion dhe do shkojmë kështu deri në fund të garës. Këtë javë ndeshemi me njërin prej rivalëve dhe kjo e bën detyrë faktin që të bëjmë një kapërcim të madh në këtë ndeshje. Nëse përgatitemi mirë psikologjikisht dhe marrim fitoren, do kishim oksigjen për vazhdimin e garës. Deri më sot nuk na vlerësojnë për emrin tonë sepse ende nuk kemi një fanellë shumë të rëndë, por në 5 vitet e fundit Kukësi ka treguar një nivel shumë të lartë organizativ, ka bërë shumë mirë në Ligën e Europës dhe ka pretenduar për titull. Megjithatë është e vërtetë që shumë nuk na pranojnë akoma si realitet.” tha Gjoka

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje