Tarifat TPL, ashpërsohet konkurrenca. Nisin sërish ‘uljet’

27 Shkurt 2017, 15:30Sociale TEMA

Nëse sot do të duhet të bëni një siguracion të detyrueshëm për makinë tuaj mund të merrni një çmim më të ulët pa u sforcuar shumë, që mund të shkojë deri në 14,000 lekë.

Sapo telefonon një nga shoqëritë e sigurimeve dhe i kërkon që të bësh një sigurim autoveturë atëherë menjëherë të komunikohet një çmim preferencial që në rastin tonë ishte 15,800 lekë nga rreth 17,000 lekë çmimi fillestar, çka tregon se ‘lufta’ për terren vazhdon mes shoqërive të sigurimit dhe konkurrenca është bërë e ashpër.

Kjo sjellje e shoqërive të sigurimit duket se është bërë e zakonshme të paktën që nga muaji gusht i vitit të kaluar, kur u rrit me rreth 20%. Për të vazhduar më pas me ulje e sërish me ngritje. Një sjellje e ngjashme e tregut që të kujton pak a shumë lojën e ‘kungulleshkave’, raporton Monitor.

Edhe të dhënat e fundit tregojnë se primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë muajit janar 2017 arritën rreth 757 milionë lekë ose 24.24% më shumë se në muajin janar 2016. Duke u dikuar nga produkti TPL e brendshme që në të njëjtën periudhë rriti të ardhurat me 30.16%.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka deklaruar se miratimi sa më i shpejtë i projektligjit “Për sigurimin e detyrueshëm në transport” do të disiplinonte tregon dhe do të përcaktonte vendosjen e standardeve.

Sipas drejtuesve të AMF-së gjithçka është gati për të vënë në funksionim sistemin Bonus – Malus ( me fjalë të thjeshta nënkupton ‘shofer i mirë, shofer i keq) dhe herë pas herë bëhen testime për të parë ecurinë. AMF deklaroi gjithashtu se ka një bazë të dhënash në lidhje me dëmet e ndodhura.

Me miratimin e ligjit dhe hyrjen në fuqi të tij sistemit do t’i lihet në dispozicion, sipas AMF-së, një vit që të nis zbatimin. Drejtuesit e Autoritetit bëjnë të ditur se kjo bëhet me qëllim që t’i lihet kohë operimi sistemit “Malus’ e për të mos pasur arbitrazh në treg.

Zbatimi i sistemit Bonus – Malus nuk do të ketë efekt prapaveprues, pra çdo historik i kaluar dëmesh apo aksidentesh nuk do të merret në konsideratë.

Kontratat e reja të sigurimit do të kenë afat 1 vjeçar dhe të gjithë drejtuesit do të përfshihen në një klasë të përgjithshme sigurimi dhe më pas do të ketë ndarje. Në bazë të historikut, pozitiv apo negativ drejtuesit të mjetit do t’i përcaktohet edhe çmimi i policës që do të paguhet. Nëse do të ketë historik pozitiv do të paguajë më pak dhe anasjelltas.

Por, çështja tani është se kur do të miratohet ligji.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje