Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini u bëri thirrje vendeve anëtare të unionit që të bashkëpunojnë për të rritur shpenzimet në ushtri. Në këtë mënyrë BE-ja do të jetë më e mbrojtur.
Pas një takimi me ministrin e Jashtëm italian, Angelino Alfano ajo tha se për marrjen e një vendimi të tillë, momenti i duhur është takimi i përbashkët i ministrave të jashtëm dhe atyre të mbrojtje së BE-së në 6 mars.
“Do të jetë një moment kyç. Javën e ardhshme do të merren vendime të rëndësishme në Këshillin e Evropës. Do të kemi një takim të përbashkët të ministrave të jashtëm dhe atyre të mbrojtjes së BE-së për adoptimin njëzëri të vendimeve për të forcuar bashkëpunimin për mbrojtjen e Evropës”, tha Mogherini.
Përfaqësuesja e Lartë shpreson që të arrihet ujdia për një buxhet të vetëm ushtarak në gjithë Bashkimin Evropian.
“Në vend që të kemi 27 investime dhe projekte të ndara në fushën e mbrojtjes, bashkëpunimi mund të rrisë eficencën që me të njëjtën sasi fondesh të realizojmë shumë më shumë për sigurinë e BE-së”, tha ajo.