Lideri i BDI-së Ali Ahmeti ka deklaruar se kryesia e partisë BDI njëzëri ka vendosur që të jenë pjesë e qeverisë me LSDM-në.
Pyetjen sesi do të votohet nëse presidenti Gjorgje Ivanov nuk e tërheq vendimin, numri një i partisë u përgjigj se kjo rregullohet sipas Kushtetutës dhe rregullores së Parlamentit.
Ai theksoi se të gjithë që dhanë mbështetjen e kanë bërë sipas vullnetit të lirë dhe nuk do të tërhiqen nga vendimi.
Ndërkohë, pyetjes nëse do ketë qeveri të re deri të hënën, Ahmeti nuk ka dashur të komentojë për një situatë hipotetike.
Lidhur me zgjedhjet lokale, Ahmeti u shpreh se duhet të mbahen në maj 2017, por edhe të shqyrtohen gjitha situatat që rrjedhin më pas.
BDI i dërgoi një mesazh presidentit Ivanov:
“Ne ftojmë z. Ivanov, që në përputhje me obligimet e tija kushtetuese si dhe me kërkesën e tij gjatë konsultimeve me të gjitha partitë parlamentare, t’ia ndan mandatin për formimin e qeverisë shumicës së re parlamentare të konfirmuar me nënshkrimet e 67 deputetëve në Kuvendin e Maqedonisë”, thuhet mes tjerash në komunikatën e BDI-së.
Edhe partia tjetër shqiptare “Aleanca për Shqiptarët” do të jetë pjesë e qeverisë me LSDM-në e BDI-në.
Partia maqedonase VMRO-DPMNE i ka bërë thirrje sot Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM) dhe liderit të kësaj partie Zoran Zaev që të pranojë shpalljen e zgjedhjeve të lira, në mënyrë, siç thuhet, të paraqesin edhe votimin për “platformën e Tiranës”.
“Qytetarët nuk kanë votuar për platformën e Tiranës në zgjedhjet e dhjetorit. Kjo ose cilado qoftë platformë e bërë në ndonjë vend tjetër nuk mundet dhe nuk duhet të jetë kusht për formimin e qeverisë në Maqedoni”, ka bërë të ditur VMRO-DPMNE, transmeton MIA.
Por kreu i LSDM-së Zoran Zaev dje akuzoi kryetarin e shtetit Georgje Ivanov për standarde të dyfishta. Ai tha se kur Ivanov ia dorëzoi mandatin Nikolla Gruevskit, platforma shqiptare nuk ishte aspak problematike që VMRO – DPMNE-së t’i kërkonte 61 firmat e nevojshme për krijimin e qeverisë së re, ashtu siç veproi me LSDM-në.
Ndërsa sa i përket debatin për gjuhën shqipe dhe pohimet se me zyrtarizmin e saj shkatërrohet karakteri unitar i shtetit, Zaev tha se kjo nuk qëndron pasi shqipja edhe tani përdoret si gjuhë zyrtare. Kreu i LSDM-së tha se karakteri unitar i shtetit rrënohet pikërisht nga politikat e VMRO-së.