Kodheli firmos peticionin në mbështetje të Vetting-ut. Komandot që bëhen kriminelë? Ja përgjigjia...

6 Mars 2017, 13:35Politika TEMA

Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli iu bashkua sot nismës së shoqërisë civile duke firmosur në Tiranë peticionin në mbështetje të reformës në drejtësi dhe veçanërisht verifikimit dhe vlerësimit paraprak të figurës punonjësve në sistemin e drejtësisë, “Vetting”.

Teksa e ka cilësuar këtë proces, një lëvizje popullore në mbështetje të reformës në drejtësi, ministrja Kodheli tha se firmosja është një akt jo thjesht dhe vetëm politik, por dhe një akt qytetar, praktikë e cila siç u shpreh ajo, është prej kohësh pjesë e punës së Forcave tonë të Armatosura. “Edhe unë, si shumë qytetarë të tjerë, bëhem pjesë e kësaj iniciative mbarëkombëtare të shoqërisë civile, dhe që është nevoja për ‘Vetting’. Unë më shumë se kushdo tjetër ose si pakkush tjetër, di çfarë do të thotë ‘Vetting’. Për të qenë pjesë e strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes, për të qenë pjesë e FA t’i detyrimisht do të kalosh një proces që quhet ‘Vetting’”.

Ministrja e Mbrojtjes nënvizoi domosdoshmërinë e pastrimit të drejtësisë, që do të sjellë dhe ngritjen e një niveli më të lartë të shoqërisë shqiptare, që do të hapë rrugën drejt integrimit në BE. “Krejt komforte dhe shumë e njohur për ne, pak e njohur për publikun, i cili e njeh sot si një nevojë për të spastruar jo vetëm pallatin e drejtësisë, po për të spastruar shoqërinë shqiptare nga çdo e keqe dhe për t’i sjellë Shqipërisë dhe shoqërisë shqiptare një reformë në tryezë, e cila do të hapë thjesht dhe vetëm rrugën drejt negociatave në BE, do të hapë rrugën për një zhvillim më të madh ekonomik, do të hapë rrugën për ta luftuar më tej korrupsionin, kriminalitetin, do të hapë rrugën për një të ardhme më të mirë të fëmijëve tanë”, u shpreh Kodheli.

Ministrja nënvizoi faktin se këtë proces e dëshirojnë të gjithë qytetarët, dhe se e hedh këtë firmë në peticion jo vetëm si qytetare, por dhe si një demonstrim i i vullnetit politik të forcës politike që përfaqëson, me bindjen se nëpërmjet këtij procesi shqiptarët mund t’i bëjnë gjërat të ndodhin.

“Sot është një ditë e shënuar në fakt edhe për jetën tonë parlamentare, do të fillojë me miratimin e personaliteteve që do të jenë pjesë e komision ad-hoc dhe besoj që dita e sotme do të jetë një fillim i mbarë për një rrugë e cila nuk ka kthim, rrugën e vetting-ut dhe rrugën e negociatave”, u shpreh ministrja Kodheli.

Më pas Ministrja e Mbrojtjes iu përgjigj dhe pyetjeve të gazetarëve në lidhje me forcat komando, mënyrën e përzgjedhjes, kujdesin gjatë periudhës së ushtrimit të detyrës dhe çfarë duhet të mbajë parasysh shoqëria për ta, pas daljes në lirim.

Një pyetje nëse mundeni, çfarë po ndodh me ish – komandot të cilët kanë qenë në shërbim në Afganistan, të cilët kur kthehen nga shërbimi pak vite më pas bëhen pjesë e veprave të tmerrshme penale duhet thënë, edhe rasti i djeshëm ku një ish – komando ka kryer një vepër penale, ka vrarë një person, duke e therur. A trajtohen psikologjikisht këta persona për traumat e luftës që marrin gjatë kohës që janë në shërbim? A funksionon qendra e psikologjisë?

Gjatë kohës që janë në shërbim funksionojnë, pasi dalin nga shërbimi, ky është jo vetëm një problem i ushtrisë sonë por i gjithë ushtrive NATO dhe jo vetëm NATO, ngarkesa emocionale psikologjike është e madhe ndaj edhe ky është një fenomen që nuk njihet vetëm këtu. Për fat të keq djali që ka kryer këtë akt kriminal dje në Këlcyrë, është një djalë i larguar, me informacion që unë kam në vitin 2012, i futur në ushtri në 2009 dhe i larguar në 2012. E gjithë shoqëria duhet të jetë në shërbim dhe në funksion edhe të këtyre djemve që janë shumë të mirë kur shërbejnë, pastaj kthehen me një problematikë në disa raste kur kthehen nga misioni.

A nuk duhet të vazhdojë ky shërbim psikologjik edhe pasi ato largohen?

Vazhdon për sa kohë ata janë brenda Forcave te Armatosura.

Po më pas jo?

Më pas jo, ne nuk jemi Ministria e Punëve Sociale, jemi Ministria e Mbrojtjes, kështu që ka struktura të tjera që merrem me trajtimin e tyre.

Po përpara se të futen në ushtri a iu bëhet një test psikologjik?

Iu bëhet test, dhe ne e kemi përmirësuar shumë këtë procedurë, më rezulton që më parë njerëzit janë rekrutuar pa kaluar në asnjë testim. Këtë e tregon edhe vetë fakti që 400 veta që aplikonin, të 400 fitonin dhe rekrutoheshin. Sot është ndryshe, sot garojnë 800, 1000 dhe fitojnë 200, 230,150. Pra kalohet në një seleksionim edhe psikologjik edhe kjo patjetër që këto ngjarje e tregojnë edhe një herë që realisht ne kemi nevojë për një seleksionim më të mirë të këtyre ushtarëve, sepse detyra të cilën përmbushin dhe puna me të cilën merren nuk është e një natyre të zakonshme, por është e një natyre të veçantë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje