Dëshmia e Silva Turdiut: Biseda e ndarjes me Skënderin në shtëpinë e rojës së Mehmet Shehut

9 Mars 2017, 09:13Dossier TEMA

Fejesa me Skënder Shehun ka zgjatur vetëm pak javë, ka dëshmuar para hetuesve në procesin e Kadri Hazbiut, Silva T. Fundi dramatik i lidhjes, sipas saj, është shënuar në ditët e fillim shtatorit ’81. Në datën 5, ajo është nisur në Greqi me ekipin e të rejave.

Për ta shoqëruar ka shkuar dhe Skënderi, tashmë i fejuari i saj i celebruar, i bekuar madje edhe nga çifti Hoxha.

Më pas, ai do të vazhdonte rrugën në Suedi ku ishte duke kryer studimet. Para nisjes, i ka takuar te pallati i sportit “Partizani” ish-ministri i Brendshëm, Feçori Shehu, dhe i ka uruar për fejesën. Dy ditë më parë, një gjë të tillë ka bërë dhe Enveri me të shoqen, në shtëpinë e kryeministrit.

Gjatë kohës që ishin në Greqi, Skënderi është lajmëruar befasisht se duhej të kthehej në Tiranë. Janë kthyer që andej të dy. Të nesërmen e mbërritjes në Tiranë, Skënderi kishte thirrur Silvën dhe i kishte thënë se donte të bisedonte disa gjëra serioze vetëm për vetëm me të, shkruan Panorama. Ashtu ishte bërë. Takimi i zhvilluar në shtëpinë e Ali Cenos, truprojës së kryeministrit, kishte zgjatur rreth 45 minuta.

Skënderi i kishte thënë se do të ndaheshin, pasi kishin dalë disa probleme të koklavitura në biografinë e familjes së saj. Silva kishte reaguar duke i thënë se ju i dinit ato gjëra më parë. Ishte përmendur çështja e Arshi Pipës, djali i xhaxhit të nënës së Silvës, që ishte “agjent i amerikanëve”. Sipas asaj që i kishte thënë Skënderi, Enver Hoxha kishte dhënë urdhër që fejesa të prishej.

Në përfundim, Skënderi i kishte thënë se kishte dashur të ndahej nga familja e tij, por kishte frikë se si komunist mund të përjashtohej nga Partia. “Skënderi u paraqit i mërzitur që nuk e linin të martohej me mua”, dëshmonte Silva. Sipas këshillës së Skënderit, Silva dhe babai i saj kanë shkuar në shtëpinë e Mehmet Shehut, por atje nuk kanë gjetur njeri.

Një makinë i ka thënë rrugës se i priste Fiqretja te shkolla e Partisë. Silva ishte kthyer në shtëpinë e vet dhe Qazim Turdiu kishte shkuar vetëm në takim. Kur ishte kthyer në shtëpi Qazimi, kishte thënë se Fiqretja i kishte përmendur çështjen e Arshi Pipës, të cilën ata “nuk e dinin më parë”. Që këtej, fejesa ishte zgjidhur, por telashet nuk kishin mbaruar, jo vetëm për ish-volejbollisten, por edhe për djalin e ish-kryeministrit.

1 komente në “Dëshmia e Silva Turdiut: Biseda e ndarjes me Skënderin në shtëpinë e rojës së Mehmet Shehut”

  1. Kryqi says:

    Arshi Pipa,Cuni i xhaxhait te mamase te nuses se djalit te kryeministrit e kishte biografine
    e keqe ? Vertet ? Silva lejohej te dilte jashte shtetit,figure e sportit Shqipetar,babai profesor universiteti.
    Kjo “klecka ne biografi” e shqetesoj Hoxhen ? Apo mos duhej gjetur nje shkak per Memetin ?
    Ne biseden koke me koke,Memeti me siguri ka reaguar kunder kurthit te ngritur,kjy duhet te
    te kete qene shkaku i vertete i “vete vrasjes” Historite e mevoneshme te kujtimeve,dhe ditareve
    Enveri i thurte me mjeshteri.Nje aktor i persosur i manipulimit te krimit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje