Emërimi i katër ministrave të rinj, Rama mbledh Kryesinë në selinë e PS

13 Mars 2017, 07:25Politika TEMA

Një ditë pasi njoftoi përmes rrjeteve sociale shkarkimin e 4 ministrave të kabinetit, kryeministri Edi Rama ka nisur sot në mëngjes një mbledhje Kryesie për të diskutuar dhe vendosur për emrat e rinj që do të zëvendësojnë Saimir Tahirin, Blendi Klosin, Ilir Beqajn dhe Bledi Çuçin.

 Prej më shumë se 30 minutash ka nisur mbledhja e Kryesisë së Partisë Socialiste zhvillohet në selinë rozë.

Pas diskutimit dhe vendimit në Kryesinë e PS emrat do t’i shkojnë për dekretim Presidentit të Republikës Bujar Nishani.

Dje Rama tha se këto lëvizje po bëhen për një mobilizim të fushatës elektorale të zgjedhjeve të 18 Qershorit në Tiranë, Kukës, Berat dhe Gjirokastër, ku ministrat janë të deleguar.

Kryeministri Rama u ka komunikuar drejtuesve politikë të qarqeve vendimin e tij për të shkarkuar katër ministra socialistë nga detyra.

Në një takim të zhvilluar dje paradite në selinë e PS me drejtuesit politikë të 12 qarqeve, Rama ka komunikuar lirimin nga detyra të ministrave Saimir Tahirin, Ilir Beqaj, Blendi Klosin dhe Bledi Çuçi.

Kreu socialist ka sqaruar se arsyeja e këtyre lëvizjeve është fuqizimi i fushatës zgjedhore në qarqet Tiranë, Kukës, Berat dhe Gjirokastër, ku ministrat janë të deleguar.

Mësohet se në këtë takim, asnjë nga të pranishmit nuk e ka marrë fjalën, përveç kryetarit Rama, i cili është shprehur se do të mbledhë kryesinë e PS-së për të vendosur zëvendësuesit e ministrave të larguar.

Pa përmendur emra të përveçëm, Rama mësohet të ketë qartësuar se ministrat e rinj do të jetë deputetë të Grupit Parlamentar socialist, por asnjë nga 12 drejtuesit politikë në qarqe. Sipas këtij kriteri, bien poshtë emrat e përfolur dje si ministra të mundshëm të rinj, pjesë e listës së drejtuesve politikë në qarqe.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje