Nuk e di përse këto ditë më erdhën ndër mend zakone të lashta të shqiptarëve lidhur me dekën (vdekjen). Deka e njeriut është padyshim një moment shumë i rëndësishëm në jetën e shoqërisë dhe si e tillë ajo është rregulluar e normuar deri në detaje, rregulla të cilat i janë nënshtruar ndryshimeve në vartësi të periudhave por që kanë ruajtur të paprekshëm trungun e tyre. Nëse do të gërmosh në to mund të gjesh gjëra shumë interesante të cilat janë diktuar nga rrethanat e kohës por mund të dallosh qartë edhe evolucionin që kanë kaluar. Ato janë trashëguar që nga paganizmi e kanë ardhë me ndryshime deri në ditët e sotme. Pa marrë përsipër të bëj ekspertin, në këtë shkrim dëshiroj të hedh disa gjëra kulmore që më kanë bërë përshtypje në gjithë këtë procesion.
Vdekja rrallë herë vjen e papritur, zakonisht ajo është rrjedhojë e një sëmundje tërëndë. Dhe zakoni e do “me shkue me pa të sëmundin”. E në këtë rast nuk mungojnë si “shokët e miqtë ngiatë (afërt) e deri edhe gjaksi në pastë besë”. E kur mblidhen shokët për me ruejtë të sëmurin që është nisë për në botën tjetër, ata “për me ja largue idhnimin bëjnë kuvende dhe i bien fyellit me 11 bira dhe kund-kund edhe trumbxes”
Kur vdes njeriu gjëja e parë që bëjnë familjarët është të mendojnë për datën e varrimit si dhe për pjesëmarrësit e ceremonisë. Ata pasi caktojnë kohën e varrimit, hartojnë listën e njerëzve që thirren për të marrë pjesë në ceremoninë mortore. Në ceremoninë mortore mund të marrin pjesë edhe njerëz që nuk janë thirrur por një kategori njerëzish që janë të afërt për nga gjinia, miqësia ose territori thirren nominalisht. Në këtë rast thirren edhe ata që familja ose i ndjeri mund të ketë pasur konflikte por nuk thirren hasmit. Ceremonia mortore është një rast i veçantë ku mund të realizohen edhe pajtime të cilat bëhen në heshtje pa ndonjë ritual të veçantë të dedikuar. Bie fjala një familje e cila ka patur konflikte pronësie apo diçka të ngjashme me të ndjerin ose me familjen e tij dhe merr pjesë në ceremoninë mortore shërben edhe si një akt pajtimi dhe reflektimi për të dy palët dhe që më pas në rast se nuk përsëriten akte të reja mospajtimi ato harrohen.
Pastaj mendohet për mjedisin ku do të kryhet ceremonia mortore. Herët ajo kryhej në mjedisit e banimit të familjes së të ndjerit ose më vonë liroheshin hapësira nga komshinjtë, ndërkohë për të përballuar fluksine njerzve, merreshin masa për krijimin e mjediseve të përkohshme me tenda prej dushku të cilat në kohët aktuale janë zëvendësuar me çadra. Tashmë ka biznese që e ushtrojnë veprimtarinë e çadrave të cilat janë të çmontueshme dhe kapacitetet e tyre mund të ndërtohen lehtësisht në vartësi të pjesëmarrësve në ceremoninë mortore. Aktualisht ka të tilla që mund të zënë edhe 500 vetë pasi familjarët duke menduar se kanë shumë miq e shokë porositin kapacitete maksimale por ndodh që ato herë herë të mbeten edhe bosh ose në rastin më të mirë të shfrytëzohen përgjysmë, pasi këto ceremoni kanë filluar të zbehen. Në mes të çadrës vendoset edhe gjenazeja e veshur dhe e stolisur si asnjë herë në të gjallë të tij.
Është zakon i pa tjetërsueshëm në malësi që i vdekuri nuk duhet të varroset pa kaluar 24 orë. Kam pyetur rreth kësaj norme të hekurt dhe kam mësuar se ajo e ka origjinën nga ngjarje reale të cilat më vonë e kanë diktuar këtë normë. Kështu tregojnë se ka ndodhur që njeriu ka pësuar vdekje klinike dhe pasi e kanë varrosur e kanë dëgjuar të rënkojnë në varr dhe e kanë gjetur të gjallë. Kjo ka diktuar nevojën që për t’u siguruar që njeriu ka vdekur vërtet, duhet të kalojnë së paku 24 orë. Dhe këtë periudhë kufoma “monitorohet” rigorozisht në se jep ose jo shenja jete.Në gjuhën e malësisë kjo quhet “përgjim” që do të thotë se gjenazeja përgjohet,vrojtohet. Duhet patjetër që kjo periudhë të përfshijë një natë e cila në malësi thirret si nata e përgjojës. Kjo natë kërkon që një numër i caktuar njerëzish, (zakonisht gratë) të qëndrojnë rreth gjenazesë. Ndërsa edhe burrat rrinë gjithashtu pa vënë gjumë në sy gjithë natën dhe tymosin duhan e bëjnë muhabet në ambiente të tjera afër. Kjo kategori njerëzish thirren si përgjojacat dhe bëjnë pjesë ndër njerëzit e afërt të të ndjerit por shpesh si për të shprehur dhimbjen që ato ndjejnë, me to bashkohen edhe miq.
Gjatë natës së përgjojës tregohen ngjarje nga jeta e të ndjerit dhe evidentohen vetitë dhe cilësitë e mira të tijë por nata është e gjatë dhe shpesh bisedat spostohen nga epiqendra dhe diskutohet edhe për çështje të ndryshme të jetës sociale. Pihet shumë kafe gjatë gjithë natës dhe kafeja si rregull është e idhtë pa sheqer. Ndonjëherë bisedat marrin zhvillime të tilla sa njerëzit harrojnë se përse janë aty dhe bëjnë edhe humor apo bisedojnë për gjëra nuk kanë lidhje me ngjarjen. Tashmë pirja e kafes bëhet me sheqer por herë herë përdoren edhe pije energjike apo ushqime të tipit pica apo hamburger. Gjatë natës nuk është lejueshme dhe as e pëlqyeshme që gjenazeja të vajtohet. Por kur del drita merren masa për të riorganizuar mjedisin i cili pastrohet nga mbeturinat e natës dhe sistemohen edhe vendet rreth gjenazesë dhe vendpritja e miqve.
Rrotull gjenazesë përveç të afërmeve hyjnë edhe vajtojcat të cilat pasi e mbarojnë vajin, ju a lëshojnë vendin vajtojcave të tjera. Vajtojcat janë gra të cilat kanë dhunti që duke njohur jetën e të ndjerit krijojnë vaje në formë të rimuar për të vdekurin. Çdo fis i thirrur në mort si rregull është e pëlqyeshme të ketë vajtojcat e veta. Kur nuk ka një të tillë brenda fisit ato merren edhe jashtë tij. Kohët e fundit kjo është kthyer në një profesion i cili ushtrohet edhe me pagesë. Gra që kanë dhunti të tilla pajtohen në raste ceremonish mortore nga fisi apo të afërmit e të vdekurit dhe ajo futet e paraqitet si pjesë e tyre në ceremoninë mortore. Edhe pse ato nuk ndjejnë dhimbje për ngjarjen, se mbase nuk e njohin apo nuk kanë kurrëfarë lidhje me të, ato kanë për detyrë tësensibilizojnë pjesëmarrësit për ngjarjen. Përgjithësisht tekstet e këtyre vajeve janë të përgatitura që më parë veçse ndryshojnë emrin që u adresohet. Ato janë të mbushura me hiperbola dhe epitete, veti të cilat gjenazeja nuk i ka gëzuar në të gjallë dhe kjo e bën disi groteske gjithë ceremoninë. Kështu edhe përse i vdekuri ka qenë një njeri i zakonshëm, në vaje ai mund të cilësohet si “azgan e gjyqtar” ose “trim si Skënderbeu”etj.
Kohët e fundit është përhapur shumë edhe vaji i burrave. Ky rit është huazuar nga vende për rreth ndoshta është me origjinë sllave ose është i ri pasi nuk e gjejmë të dokumentuar qartë në literaturën e kohës kryesisht në kodin zakonor shqiptar. Roli i tyre fillon aty ku mbaron ai i vajtojcave gra dhe i bie të jetë nga fundi i ceremonisë mortore pak përpara se gjenazeja të ngrihet. Këta individë jo me vaje por në mënyrë të vjershëruar recitojnë përpara pjesëmarrësve rapsodi të thurura “aty për aty” për jetën e të vdekurit. Edhe këta ashtu si edhe vajtojcat kanë modele të ndryshme të vjershave të cilat i përshtatin aty për aty, pasi njihen me veprimtarinë e të ndjerit. Në fakt edhe pse ky është kthyer në një biznes të vërtetë nuk duket se ka shumë ndikim tek pjesëmarrësit dhe pothuajse është një biznes në falimentim. Një model tjetër i cili ka lulëzuar kohët e fundit janë fjalimet zyrtare në ceremoninë mortore. Njerëz të cilët kanë dhuntinë e fjalës dhe që caktohen nga familja ose nga organizata të ndryshme përpara varrimit mbajnë një fjalim të mbushur me lavde për jetën e të ndjerit, për familjen,fëmijët që la pas, për shoqërinë etj.
Por kufoma nuk mund të qëndrojë gjatë, pasi prishet dhe era e saj është shumë e rëndë dhe rrezikon që të ndotë gjithë mjedisin për rreth. Kodi zakonor ka përcaktuar një minimum kohe për varrimin, prej 24 orë pas vdekjes për ato arsye që përmendëm por nuk ka përcaktuar një afat të saktë për varrimin, pasi kjo varet nga largësia e miqve si dhe stina, temperaturat etj por e gjitha kjo nuk mund të kalojë si rregull 48 orë. Prandaj përpara se gjenazeja të ngrihet për t’u përcjellë për në varr një kategori tjetër “aktorësh” futen në lojë. Ata janë gjëmëtarët të cilët janë miq shokë dhe të afërm të cilët bërtasin me të madhe disa herë përmbi gjenaze duke shqiptuar fjalët “I mjeri unë për ty or filani, i mjeri unë oooo”. Por gjëma mund të vazhdojë gjatë edhe pas varrimit.
Kodi zakonor ju ka krijuar lehtësira të shprehin ngushëllimet e tyre atyre njerëzve të cilët për arsye të ndryshme nuk kanë mundur të marrin pjesë në ceremoninë mortore. Ata janë të lirë të vijnë për ngushëllim edhe 12 muaj pasi gjenazeja është varrosur. Në këtë rast familja e ka mbyllur çadrën dhe pritjet bëhen në shtëpi. Në vend të arkivolit familja shtron petkat dhe armët e të ndjerit. Të ardhurit për ngushëllim bëjnë gjëmën me britma mbi këto objekte sikur të ishte mbi trupin e të ndjerit. Njerëzit e familjes por edhe njerëzia fillojnë e harrojnë dhe i kthehen punës e jetës së përditshme por edhe detyrimeve ndaj komunitetit pasi kodi zakonor i përjashton ata vetëm për tetë ditë.
Eh, këto zakonet tona, nga paganizmi deri në ditët e sotme.
Nje vajtojce vjen nga Maqedonia! Nje qenie e shekullit te 19te foli ne cadren e PDse! Cdo shqiptar qe ndan shqiptaret ne baze te partive eshte tradhetar! Por c’mund te presesh nga nje shqiptare nga Maqedonia qe mbron Salen dhe Lulin duke share Ramen! E pakta eshte nivitet dhe injorance dhe nje poshtersi mes shqiptaresh! Ta quash Berishen qe e nisi kete shkaterim, te kujt?. eshte tradheti mes shqiptaresh! SHume shqiptare nga maqedonia kane qene spiune te serbeve! Shqiptaret kudo qe jane sigurisht edhe ne Shqiperi duhet te mos bejne thirje per percarje por per bashkim! Por kjo eshte PD ky eshte Basha dhe Sala dhe shqiptaret e shekullit te 19te! Urime shqiptare vrituni me njeri tjetrin ! Vetem kjo k ngelur! Vritun dhe shpetoni Berishen!
T’u shtoftë jeta Gjon Ndreja.
Tu shtoftë humori Gjon,pikës i ke rënë!