Shefi i qeverisë së Kosovës Isa Mustafa, shprehet pesimist mbi ecurinë e normalizimit të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës.
Kryeministri ka thënë se procesi është duke shkuar “mjaft vështirë”.
Në një intervistë për gazetën boshnjake “Dnevni avaz”, Mustafa bëri me dije se në Kosovë akoma ekzistojnë struktura paralele që veprojnë me mbështetjen e Serbisë.
“Nuk po shkon lehtë. Është një proces mjaft i vështirë. Ne kemi ndërhyrje të madhe të Serbisë në punët e brendshme të Kosovës, sidomos në pjesën veriore. Ne duam që t’i integrojmë serbët në të gjitha institucionet tona. Ne i kemi këto struktura paralele që veprojnë me mbështetjen e Serbisë.
Ne nuk shohim arsye që kjo të vazhdojë”, pohon Mustafa.
Krryeministri i Kosovës ka shprehur dëshirën e vendit që përfaqëson për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Ai shtoi se Prishtina, pavarësisht çdo gjëje, bashkëpunon me Beogradin, kryesisht nëpërmjet dialogut në Bruksel.
“Sa i përket njohjes, ky është një proces politik. Kjo nuk na pengon që të bashkëpunojmë. Tani kemi marrëveshje të cilat duhet të zbatohen”, ka thënë kreu i egzekutivit të Kosovës./ad