Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi shprehet i vendosur për themelimin e ushtrisë.
Në debatin që po zhvillon me përfaqësuesit e mediave serbe dhe shoqërinë civile, ai deklaron se në projektligjin e ri, FSK merr mision dhe detyra të reja që e bëjnë atë një ushtri moderne.
Sipas kreut të shtetit, ushtria do të jetë e gatshme të kontribuojë edhe përtej rajonit sa herë që asaj i kërkohet të jap kontributin.
“Në këtë projektligj është bashkëpunuar ngushtë me MFSK-në dhe vetë FSK-në. Po ashtu ka pasur koordinim me kryetarin e Kuvendit dhe kryeministrin për ushtrinë. Këtë aspiratë tonë për ushtri e kanë mbështetur dhe kërkuar të gjithë qytetarët e Kosovës.
Pjesëtarët e FSK-së sot ndjekin akademitë ushtarake më të mira në botë, shpesh duke u kthyer më mirënjohje dhe dekorata më të larta, pra FSK ka përmbushur të gjitha kërkesat dhe detyrat. Transformimin e bën të nevojshëm edhe zhvillimet në rajon”, tha Thaçi.
Më tej ai tha se FSK edhe sot në praktikë është ushtri e Kosovës sepse është e pajisur me armatim.
“NATO dhe partnerët tanë ndërkombëtarë duhet ta ndihmojnë Kosovën gjatë këtij procesi. Ju takon deputetëve të Kuvendit që të marrin vendimi e merituar për FSK-në. Më lejoni të ju bëjë thirrje serbëve që të kthehen në institucione, ndoshta është interes i Serbisë që t’i mbajë jashtë institucioneve të Kosovës por kjo nuk është në interes të qytetarëve serbë në Kosovë”, deklaroi kreu i shtetit.
“Ne kemi iniciuar punën për përpilimin e statutit për Asociacion dhe jemi të gatshëm me serbët që të themelojmë statutin dhe asociacionin prandaj kemi nevojë që të jenë prezent me këshillat e tyre”, u shpreh Thaçi./a.d