Skender Temali
Monika Stafen, e njoh nga ekrani i televizorit, por dhe nga artikujt e saj që kam lexuar tash e parë viteve të fundit në shtypin shqiptar. E se ato janë disa farëshe: realiste, filozofike, historike, politike, kulturoro-artistike, etike, përshkruese etj. Monika nuk mbetet robëreshë e zhanreve publicistike, i kapërcen caqet e tyre, përdor mjeshtërisht edhe figura e trajtime letrare të mirëfillta, kap e trajton probleme të mprehta të kohës pa bërë asnjëherë kompromis me të keqen e “baballarët e kombit”, ka depërtim vertikal e jo horizontal për ato që merr përsipër të trajtojë e kjo, mendoj, se përbën vlerë për çdo krijues.
Unë vetë, për 15 vjet kam punuar redaktor në Radio Shkodra e gazetën lokale në kohën e komunizmit. Di si pak kush të bëj dallimet, çensurën e autoçensurën, siç edhe lirinë e sotme, me hapsira të pakufizuara të shprehjes. Këtë liri Monika e shfrytëzon, përmes një gjeografie problemesh e sfidash që i ofron vetë koha që jetojmë.
Fatmirësisht Monika i përket plejadës elitare të publicistikës shqiptare të çerek shekullit të fundit, edhe pse në këtë periudhë kohore, ka pasë përçudnime të fjalës e të shtypit të lirë.
Brumin e materialeve të saj publicistike e që na ka paraqitur në këtë libër ajo nuk e stis, e merr nga magja e jetës. Trajtimet sjellin një informacion nga shumë e shumë fusha, çka flet se nuk kemi të bëjmë me një gazetare e analiste rastësore, por me një autore me një bagazh diturak që të bën për vehte.
Konçiziteti i shkrimeve të këtij vëllimi e lejon lexuesin ta shohë jetën nga shumë këndvështrime e kjo jo vetëm se ajo e ka orientuar atë në ndarjen në katër pjesë, por sepse ai sheh vehten e tij në pasqyrë e jetën shqiptare me plus-minuset e saj, duke nisur që nga sharlatanët e mbirë si këpurdhat pas shiut e deri tek sistemet ekonomike e rrymat bashkëkohëse politike, kulturore e letraro-artistike shqiptare, europiane e botërore, ku autorja eksploron jo pa sukses e duke qenë gjurmëlënëse.
Konçiziteti i shkrimeve mendoj se përbën një tjetër vlerë të këtij libri e të kësaj autoreje. Ajo ka bërë kujdes të vazhdueshëm që të ketë sa më pak ujë, pa u hallakatur sa poshtë e përpjetë, por duke dhënë pa dorashka kuitesencën.
Pasuria leksikore e gjuhësore tregon për formimin edhe në këto fusha të Monikës. Fraza nuk na lodh me gjetë kryefjalën, pasi kryefjalë është analiza e mesazhi që përcjell.
Unë, si autor i disa librave artistikë të zhanreve të ndryshme në gati gjysmë shekulli, me interes të veçantë kam lexuar sidomos artikujt e “Qasjes kulturore”. Përveç bollekut të informacionit që merr lexuesi, pasi ka lexuar secilin prej tyre, sikur polemizon e vetkritikohet, duke bëlbëzuar: “Po këtë, si s’e paskam ditur!?” Kjo natyrisht që s’të krijon ndjesinë e mirë, por që e mbush autoren se i jep lexuesit, qoftë edhe elitar, një novitet në mendim e problematikë të këtij rrafshi. Kë të veçosh në këtë korpus? “Librin e pushimeve”, “Shijen e vrarë të librit”, “Tradhtia ndaj përkthimit”? Mendoj se ato e të tjerë kanë kapur kuotat që do t’i dëshironte çdokush që bën publicistikë serioze.
Publicistika shqiptare ka nevojë për të tilla nivele e kjo është meritë e autores, së cilës i uroj me shpirt të tjera arritje, madje do të thoja se përkthimi në anglisht apo në një gjuhë tjetër europiane do ta nderonte jo vetëm atë, por edhe kulturën tonë.
(Autori eshte Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shkodër)
Nje shkrimtar budalla i realizmit socialist, ish sekretari i Muho Asllanit qe shkruan per nje bibë me dhjetemije komplekse.