Me vëmendjen e botës të përqëndruar në Londër ditën pas sulmit terrorist jashtë ndërtesës së parlamentit, një sërë incidentesh të dhunshme përfshinë Ukrainën të enjten, të cilësuara nga Kievi si përpjekje të fshehta të Moskës për të destabilizuar vendin.
Vrasja në mes të ditës e një politikani rus në ekzil në qendër të Kievit, mëngjesin e të enjtes erdhi vetëm pak orë pas një shpërthimi masiv në një depo armatimesh ushtarake në qytetin e Balaklia-s, në verilindje të vendit.
Gjatë një takimi me zyrtarët e sigurisë në Kiev, presidenti Petro Prorshenko vuri në dukje koinçinencën e dy incidenteve.
“Besoj se nuk është një rastësi që vrasja ndodhi të njëjtën ditë me sabotazhin në Balaklia,” tha Poroshenko.
“Planifikimi dhe kryerja e sulmeve kur bota është e përqëndruar diku tjetër, është një strategji e vjetër ruse,” u shpreh për ‘Daily Signal,’ Marcel Van Herpen, drejtor i fondacionit ‘Cicero.’ “Sulmi terrorist në Londër dhe zhurma e vazhdueshme nga Shtëpia e Bardhë, i japin Kremlinit një rast të përkryer për aktet e veta destabilizuese.”
Por, për Ukrainën gjërat nuk përfunduan me kaq. Po të enjten, në Odessa, qyteti i tretë më i populluar në Ukrainë dhe një nga portet më të rëndësishme në Detin e Zi, u arrestuan nëntë persona nga agjencia e sigurisë ukrainase, pasi akuzoheshin si pjesë e një rrjeti sabotazhi të organizuar agjencia e inteligjencës së huaj në ushtrinë ruse, e njohur si ‘GRU.’
Van Herpen tha se zbulimi i operacionit të Odesa-s ishte thjesht një moment fati për inteligjencën ukrainase, ndërsa koinçidenca me të njëjtën ditë me incidentet e tjera, ishte thjesht një rastësi.
Megjithatë, “kjo e bën të qartë se Kremlini nuk ka hqur dorë nga planet agresive për ripushtimin e Novorossiya-s,” shtoi Van Herpen…
Modus Operandi
Ish-deputeti rus, Denis Voronenkov, i cili ishte arratisur në Ukrainë në vitin 2016, mbeti i vdekur nga një atentat, mëngjesin e të enjtes shumë pranë qendrës së Ukrainës. Ngjarja ndodhi, ndërsa ai dilte nga hoteli ‘Premium Palace,’ bashkë me truprojën e tij, i cili mbeti i plagosur.
Ngjarja u cilësua nga presidenti ukrainas si një akt terrorizmi nga Rusia.
“Sërish, ne shohim një metodë klasike të forcave special ruse, të cilën e kemi parë disa herë në kryeqytete të ndryshme europiane,” tha Poroshenko në deklaratën e tij.
Voronenkov dhe bashkëshortja e tij kishin arritur të përfitonin shtetësinë ukrainase në dhjetor të vitit 2016. Ish-parlamentari ishte një ndër kundërshtarët më të mëdhenj të Vladimir Putin. Në shkurt të 2017, ai e krahasoi regjimin e Putin në Rusi me Gjermaninë Naziste.
“Situata në Rusi, tashmë është si ajo e Hitlerit në Gjermaninë Naziste,” pati thënë Voronenkov në një intervistë për mediat ukrainase. “Të gjithë e dinin se ai vriste Hebrenj, por vazhduan të bashkëpunonin me të ëpr shumë vite, duke u shtirur sikur asgjë nuk po ndodhte… Shumë sitata, janë tanimë identike me Rusinë.”
“Jo diçka e mirë”
Numri i viktimave nga depoja e armatimeve në Balaklia, nuk është ende i qartë. Ndërkaq, autoritetet ende nuk kanë deklaruar zyrtarisht nëse bëhet fjalë një aksident, apo për një akt sabotazhi nga qeveria ruse.
Van Herpen e cilësoi shpërthimin në Balaklia si “mjaft destabilizues.” “Është një nga depot më të mëdha në Ukrainë dhe është një paralajmërim nga Rusia, se mund ta godasin Ukrainën ku të duan,” tha ai.
Përgatiti: Bjorn Runa
Marrë me shkurtime nga “Newsweek”