Gjergj Bojaxhiu, i ftuar në studion e Zululandit, tha se “politikanët shqiptarë kanë një mentalitet korruptiv që e ka burimin, përveç të tjerash, edhe tek mënyra se si funksionojnë partitë shqiptare, tek fakti që kryetari nuk është udhëheqës, por është pronar i partisë, tek mënyra se si zgjidhen deputetët, etj; ne po përpiqemi të bëjmë një organizim tjetër partie, ku të mos kemi pronar partie e ku kandidatët për deputet do të përcaktohen sipas parimit ‘një anëtar, një votë’.”
Nano foli për një ngjarje amerikane. “Steve Banon, këshilltari strategjist i presidentit Trump, foli në një takim të kongresmenëve amerikanë në prag të votimit mbi reformën shëndetësore, dhe u tha pjesëmarrësve: ‘këtu nuk ju kemi mbledhur për të diskutuar e për të bërë debat, por për t’ju thënë se nuk keni zgjedhje tjetër, veçse të votoni projektin që ju kemi sjellë’. Aty është çuar një kongresmen, dhe ka thënë, se ‘herën e fundit kur dikush më ka folur me këtë gjuhë, unë kam qenë 18 vjeç; ai që më urdhëroi ishte babai im; dhe rezultati ishte që unë bëra atë që doja unë, e jo atë që donte babai’.” Bojaxhiu tha se “njerëzit që janë mbledhur rreth Sfidës synojnë të ndërtojnë një parti të tillë, që të mos dalë asnjë Steve Banon e t’u thotë se nuk keni të drejtë të bëni zgjedhjen tuaj”.
Biseda mes Bojaxhiut e moderatorit të Zululandit u fokusua e tëra mbi mënyrën se si duhet të funksionojnë partitë në demokraci.