Në Moskë është hapur një ekspozitë me foto të marra gjatë Luftës së Vietnamit, ku, siç raporton agjencia shtetërore “Sputnik”, disa foto shfaqen për herë të parë.
Ekspozita drejtohet nga kreu i Organizatës së Veteranëve Rusë të Vietnamit, Nikolai Kolesnik, i cili ishte pjesë e grupit të parë të oficerëve sovjetikë që u dërguan në ndihmë të ushtrisë vietnameze.
Fotot vijnë nga arkivat e oficerëve rusë dhe paraqesin ndër të tjera edhe pilotë amerikanë të kapur rob.
Mes tyre edhe senatori i njohur John McCain, pamjet e të cilit duke u kuruar përcillen nga “Sputnik”, për qëllime qartazi propagandistike.
Në çdo rast pamjet japin një fragment nga ajo çfarë ishte Lufta e Ftohtë, e cila vazhdon ende sot, siç shohim në Siri.
Pamjet mbeten interesante, edhe pse i kujtojnë ndoshta presidentit aktual amerikan Donald Trump, se kur tallesh me luftën, duhet një çikë më shumë kujdes.