Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Mal të Zi ku është takuar me kryeministrin Dushko Markoviç.
Në një konference për shtyp me homologun malazez, shefi i qeverisë ka njoftuar një mbledhje të përbashkët të dy kabineteve qeveritare në muajin tetor, ku do të hidhen bazat për një bashkëpunim më të fortë mes vendeve.
“Në muajin tetor, dy qeveritë do të takohen në Shkodër.
Si një përpjekje për përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë duke shfrytëzuar potencialet tona. Nuk ka diskutim se ne mbetemi fqinjë të dashur me njëri tjetrin dhe se rruga jonë e përcaktuar për të qenë krahpërkrah në koalicionin e shteteve demokratike të botës së lire, është një rrugë pa kthim,” u shpreh Rama.
Ndërkohë kryeministri malazez Dushko Markoviç, tha se vendi i tij mbështet integrimin e Shqipërisë në BE.
Sa i përket çështjes së kufirit me Kosovën, Markoviç deklaroi se çështja e demarkacionit nuk mund të ndikojë në marrëdhëniet e mira me Prishtinën zyrtare. Ai deklaroi se vendi i tij është i gatshëm ta mbështesë Kosovën që procesi të përmbyllet sa më parë.
Kryeministrit Rama, udhëtoi në Podgoricë i shoqëruar nga ministri i Jashtëm Ditmir Bushati.