Ushtria amerikane ka zhvendosur një grup anijesh për në gadishullin korean, mes shqetësimeve në rritje mbi programin raketor të Koresë së Veriut.
Grupi me në krye aeroplanmbajtësen “Carl Vinson” ka edhe disa luftanije të tjera.
Komanda amerikane e Paqësorit e përshkroi këtë dislokim, tashmë në drejtim të Paqësorit Perëndimor, si një masë të kujdesshme për të ruajtur gatishmërinë në rajon.
Presidenti Trump ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura të veprojnë edhe të vetme përballë kërcënimit bërthamor nga Koreja e Veriut.
“Kërcënimi numër një në rajon vijon të mbetet Koreja e Veriut, për shkak të programit të pamatur, të papërgjegjshëm dhe destabilizues të testimit raketor dhe kapaciteteve të armëve bërthamore”, tha zëdhënësi i Komandës amerikane të Paqësorit, Dave Benham.
Në grupin e anijeve të dislokuara së fundmi ndodhet edhe aeroplanmbajtësja “USS Carl Vinson”, dy shkatërrues përmes raketave të precizionit të lartë, si dhe anija “cruiser” sërish me raketa, por më e madhe sesa shkatërruesit. Përveç forcës goditëse, grupi ka edhe aftësitë e nevojshme për të ndërprerë në kohë raketat balistike.