Karl Hainc Rumenige është shprehur shumë i lumtur me paraqitjen e ekipit të tij, por nuk ka hezituar të komentojë arbitrimin shumë të keq të Kasait, i cili, sipas tij, e dëmtoi shumë këtë ndeshje që në çdo aspekt ishte e përkryer.
CEO i Bajernit ka thurur vetëm elozhe për gjermanët, sidomos të dëmtuarit, të cilët dhanë gjithçka për të qenë të gatshëm për këtë ndeshje:
“Ishte një ndeshje shumë e bukur, e shkëlqyer dhe plot emocione. Një lojë shumë e shpejtë dhe plot raste. Gjej rastin për t’u bërë komplimente të dyja ekipeve, pasi sot treguan që janë dy nga ekipet më të mira në botë. Humels, Boateng, Levandovski dhe Nojer, edhe pse ishin të dëmtuar, dëshironin me çdo kusht që të luanin sot, e pabesueshme! Një sakrificë shumë e madhe prej tyre.
E vetmja gjë që nuk më pëlqeu nga kjo ndeshje ishte arbitri. Kartoni i dytë i verdhë për Vidal nuk ishte faull, e jo më karton. Mendoj se arbitri na ‘vrau’ me vendimet e tij, duke favorizuar ndjeshëm Realin, ndonëse më parë duhet të ishte dënuar Kasemiro me të kuq për atë faull ndaj Robenit. Mendoj se këto vendime e shkatërruan këtë ndeshje kaq të bukur. Mbase kjo ishte mënyra e vetme për ta prishur këtë natë, që për shumë pak do të ishte një natë historike për ne”, deklaroi shefi ekzekutiv i Bajernit, shkruan panorama.
Ndërkohë, në darkën pas ndeshjes, ai ka marrë mikrofonin në sallë për të përgëzuar futbollistët për atë që kishin dhënë nw fushën e lojës. Sipas gazetarëve spanjollë të pranishëm, ai e ka filluar me fjalët: “Çfarë po bëjnë kështu federatat? Ndjej inat për herë të parë në karrierën time. Na kanë mashtruar”.
Ndërkaq, gjatë fjalimit, mikrofoni nuk po punonte më. “Duhet të jetë mikrofon hungarez…”, ishte batuta e Rumeniges, e vetmja gjë që bëri për të qeshur futbollistët dhe stafin e Bajernit të pranishëm në restorantin e hotelit.