Në takimin e nivelit të lartë të grave W20, Ivanka Trump u takua me politikanë drejtues. 35 vjeçarja e shfrytëzoi rastin për të mbrojtur ndër të tjera politikën e babait të saj.
Që në krye, Ivanka Trump shfrytëzoi rastin për ta lëvduar Presidentin e SHBA përsa i përket politikës familjare. “Unë jam shumë krenare për babanë tim. Që para se të bëhej President ai është angazhuar për familjet.” Pas reagimeve të zemëruara nga publiku, Trump i mbrojti pozicionet e të atit.
Ivanka Trump tha se është ende shumë e re në rolin e saj si First Daughter (Bijë e Parë) dhe “dëgjon dhe mëson shumë”. Vizita e Kancelares Angela Merkel në SHBA kishte qenë për të “shumë interesante”. Para së gjithash ajo qe gëzuar që mësoi për modelin e shkollimit dual. Nga forumi në Berlin, në të cilin ajo qe ftuar personalisht nga Kancelarja Angela Merkel, ajo do të marrë me vete “dije dhe këshilla” në SHBA dhe te babai i saj.
Nuk ka “mjet kurues të gjithanshëm” për forcimin e femrave
Në prag të takimit të nivelit të lartë, së bashku me Presidentin e Bankës Botërore Jim Yon Kim Ivanka Trump pati kërkuar më shumë inisiativa për forcimin e grave në ekonomi. “Ne duhet të krijojmë një kuadër të ri juridik, për ta rritur produktivitetin e grave. Me kualifikimin e duhur, gratë mund ta drejtojnë më mirë sipërmarrjen,” shkruan Trump dhe Kim në një artikull të të ftuarit për “Financial Time’s”. E pyetur për këtë në diskutimin në podium, Trump tha se për forcimin e rolit të grave në ekonomi nuk ekziston “një mjet kurues të gjithanshëm. Ekzistojnë dallime kulturore midis shteteve e edhe brenda shteteve.”
Angela Merkel tregoi se forcimi ekonomik i grave në shtetet e industrializuara është po kaq i rëndësishëm sa në shtetet në zhvillim – dhe tërhoqi vëmendjen në faktin se sipërmarrëset “edhe në Gjermani nuk janë shumicë”. Megjithatë shtetet e industrializuara duhet të shërbejnë si model.
Merkeli i shmanget pyetjes nëse është feministe
Women20 është një proces dialogu i G20 – raundit të shteteve kryesore të industrializuara dhe shteteve në ekspansion. Gjermania ka këtë vit Presidencën e G20-ës dhe do të organizojë në verë takimin e nivelit të lartë të G20-ës.