Ballkani përsëri po vlon, por Uashingtoni nuk shihet askund

29 Prill 2017, 10:29Rajoni TEMA

John McCain*

Këtë muaj, ndërsa udhëtoja nëpër shtatë vende të Evropës Juglindore, u ndala në Sarajevë. Qëndrova në këmbët e Urës Latine, në këndin e rrugës që ndryshoi botën, ku një plumb vrasës i mori jetën dukës Franz Ferdinand dhe shkaktoi një cikël dhune e lufte, që u zhvillua në gjysmën e parë të shekullit të XX, dhe që u konsumua në Evropën Juglindore përgjatë dekadës së fundit të këtij shekulli.

M’u kujtua në mënyrë të turbullt, një proverb i vjetër, që thotë se “nëse historia nuk përsëritet, ajo rimon me veten e saj”. Evropa Juglindore, një rajon që ndodhet në udhëkryqin e historisë, po përballet sërish me sfida në rritje. Dhe Shtetet e Bashkuara duhet të fillojnë t’i japin më shumë vëmendje.

Rritja ekonomike në pjesën më të madhe të rajonit ka qenë e pamjaftueshme për t’u dhënë të rinjve mundësinë për të ndjekur qëllimet e jetës dhe përmbushjen e tyre në vendet e origjinës. Ndërmarrjet e fryra shtetërore, rregullat bizantine dhe korrupsioni i përhapur shpesh qëndrojnë në rrugën e realizimit të potencialit të pashfrytëzuar ekonomik të këtij rajoni.

Kriza e refugjatëve është një barrë, që po rëndon mbi kombet në këtë pjesë të Evropës dhe ka nxitur mosmarrëveshjet për kufijtë midis fqinjëve. Tensionet politike janë në rritje. Maqedonia është në mes të një krize politike. Partia opozitare në Shqipëri ka bojkotuar parlamentin që nga muaji shkurt. Pasiguria për të ardhmen e Bosnjës dhe Hercegovinës, vazhdon. Provokimet e fundit kanë përkeqësuar tensionet midis Kosovës dhe Serbisë, duke penguar përparimin drejt normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve.

Trashëgimia e trishtë e konflikteve etnike dhe fetare, papunësia e lartë e të rinjve dhe faktorë të tjerë e bëjnë Evropën Juglindore, të cenueshme nga terrorizmi. Në vitet e fundit, qindra luftëtarë nga rajoni kanë shkuar për të luftuar për Shtetin Islamik në Irak dhe Siri.

Vetëm vitin e kaluar, 19 të arrestuan në Kosovë për një komplot të Shtetit Islamik, që synonin të sulmonin ndeshjen e futbollit midis Izraelit dhe Shqipërisë.

Ndërkohë që Shteti Islamik po përballet me disfata të pashmangshme në Mosul dhe Raqqa, terroristët po largohen për të sulmuar objektivat perëndimorë, duke përfshirë edhe Evropën Juglindore.

Ndoshta, gjëja më shqetësuese nga të gjitha, është përpjekja e Rusisë për të shfaqur ndikimin e saj negativ në rajonin e Evropës juglindore, për të përcaktuar të ardhmen e këtyre vendeve.

Shembulli më dramatik ishte përpjekja e grushtit të shtetit të mbështetur nga Rusia, në Malin e Zi, tetorin e kaluar. Me qëllim që të ndalonin integrimin e Malit të Zi në NATO, operacionet e inteligjencës ruse komplotuan për të rrëzuar qeverinë dhe për të vrarë kryeministrin e vendit në ditën e zgjedhjeve. Unë besoj se kur të kuptohet shkalla e këtij sulmi të egër ndaj Malit të Zi, do të kuptohet fakti se Vladimir Putin po bën gjithçka për të arritur ambicien e tij; rivendosjen e Perandorisë Ruse.

Duke pasur parasysh këto sfida, nuk është për t’u habitur që në çdo ndalesë që kam bërë, kam dëgjuar të njëjtën kërkesë për rivendosjen e udhëheqjes amerikane. Kombet e këtij rajoni janë të gatshëm dhe duan t’u bëjnë ballë sfidave të tyre. Por, ata nuk mund ta bëjnë këtë, të vetëm. Dhe partneri i tyre i zgjedhur është SHBA-ja. Pra, çfarë mund të bëjmë tani?

Së pari, Shtetet e Bashkuara duhet të shfaqin rolin e tyre. Ashtu siç më tha edhe kryeministri i  një vendi të Evropës Juglindore, se në asnjë vend tjetër të botës nuk kanë peshë më të madhe fjalët e Presidentit të Amerikës në nxitjen drejt progresit.

Kjo është arsyeja pse angazhimi i vazhdueshëm dhe vizitat më të shpeshta nga zyrtarët e lartë të SHBA-ve në rajon janë kaq të rëndësishme.

Së dyti, Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të rrisin mbështetjen e tyre për kombet e Evropës juglindore, në përpjekjen e tyre për t’u integruar në komunitetin Euro-Atlantik nëpërmjet institucioneve si NATO dhe Bashkimi Evropian. Është ky proces integrimi që ofron shpresën më të madhe për paqe dhe prosperitet në rajon.

Kjo do të thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të japin një mbështetje të fuqishme për programet e saj që ndihmojnë në forcimin e sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, hapa thelbësorë në rrugën e integrimit euroatlantik. Ne gjithashtu duhet të inkurajojmë Bashkimin Evropian, pavarësisht sfidave, që të mbajë derën hapur për kombet e Evropës Juglindore, të cilët ende shpresojnë të bashkohen.

Së fundmi, Shtetet e Bashkuara duhet të mbështesin të drejtën e çdo kombi në Evropën Juglindore për të zgjedhur vetë të ardhmen e tyre pa ndërhyrje të jashtme, qofshin ato të një Rusie agresive që kërkon të reduktojë kufijtë e Evropës përmes dhunës apo terroristëve, që kërkojnë të shkatërrojnë qytetërimin tonë të përbashkët. Zgjerimi dhe thellimi i bashkëpunimit të sigurisë me aleatët dhe partnerët tanë rajonalë, është thelbësor.

Pas dy luftërave botërore, Shtetet e Bashkuara u angazhuan për një Evropë që është e plotë, e lirë dhe në paqe. Ne e bëmë këtë sepse u kuptua  që roli i liderit të Amerikës ishte thelbësor për arritjen e paqes dhe prosperitetit në Evropë, e cila ishte dhe vazhdon të jetë në interesat e sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit, ne kemi bërë zgjedhjet dhe sakrificat për ta përkrahur këtë angazhim: në mbarë Evropën gjatë Luftës së Ftohtë, në Bosnje dhe Kosovë në vitet 1990, dhe sot në vendet e krahut lindor të NATO-s. Ne duhet të jemi të përgatitur që ta përkrahim këtë angazhim përsëri në Evropën Juglindore, sepse mësimet e historisë janë të qarta: Ne e injorojmë këtë rajon me rrezikun tonë.

*Opinion i senatorit amerikan John McCain në Washington Post pas turit të tij në Ballkan

2 komente në “Ballkani përsëri po vlon, por Uashingtoni nuk shihet askund”

  1. Treviso says:

    Me ndryshimin e ligjit te zgjedhjeve te 2008 u vendos diktatura. Populli mjafton te hedhi kartonin ne kutin e e votimit dhe politikanet te bejne çfar te duan.
    Edi Rama i dhuroipopullit nje hajdut me çizme si president dhe ra dakort qe vendi ti hapi te gjitha dyet emafjes.

  2. Adriatiku says:

    Faleminderit Senator Xhon MekKain. Respekt.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje