Kalimi i Liridon Latifit nga Skënderbeu drejt Gent në kampionatin belg duket thuajse çështje e kryer dhe për të është folur sot edhe në mediat belge. Prej dy ditësh, drejtues të klubit korçar gjenden në Belgjikë për të diskutuar detajet e këtij transferimi prej rreth 1,2 milionë eurosh.
Ndërkaq, për mediat belge, Gent është treguar i shkathët të përfitojë nga pavendosmëria e Klub Bryzh, që ndiqte mesfushorin shqiptar prej një viti, por që nuk kishte bërë hapa konkret për të firmosur me të.
Diskutimet e transferimit në fjalë janë pasqyruar edhe në mediat italiane, ku rreth një muaj më parë, emri i Latifit doli në skenë si një prej lojtarëve të pikëtuar nga drejtori sportiv i Lacios, Igli Tare.
Me transferimin e Latifit drejt Gent në verë, do të shkojë në dy numri i ish-futbollistëve të Skënderbeut te skuadra belge. Edhe Peter Olainka ka konfirmuar se pas një viti huazim te Dukla Praga në Republikën Çeke, do të kthehet në radhët e këtij ekipi, ku u transferua në janarin e vitit 2016 për 1,1 milion euro.