Skenarët e titullit kampion, ja llogaritë e tre ekipeve pretendente

2 Maj 2017, 14:27Sport TEMA

Kukësi, Partizani dhe Skënderbeu në mes. Një rebus i vërtetë pesë javë para fundit të kampionatit! Askush nuk mund të bëjë një parashikim se cila skuadër do ta fitojë trofeun më të rëndësishëm në vend. Megjithatë, është momenti kur klubet kanë nisur të bëjnë llogaritë për sprintin final.

“Panorama Sport” është munduar të bëjë një prognozë më të plotë për shanset e skuadrave, duke u bazuar te kalendari që kanë, por edhe përballjet direkte mes tyre.

Natyrisht, në këtë rivalitet të ethshëm, çdo parashikim konkret për rezultatet e tri skuadrave të kreut në javët e fundit mund të rezultonte edhe blof. Me surprizat që mund të mos mungojnë nga përballjet e ekipeve për titull me ato që luftojnë për mbijetesë, më shumë se kurrë ky kampionat po shkon drejt finaleve Partizani-Kukësi, Kukësi-Skënderbeu dhe ndoshta deri në javën e fundit me Skënderbeu-Partizani.

Ekspertët e këtyre situatave janë kampionët në fuqi, por korçarët në ndryshim nga vitet e kaluara, këtë herë nuk kanë gjithçka në dorën e tyre. Mund të ndodhë që Skënderbeu t’i fitojë të gjitha ndeshjet e mbetura dhe kampion të shpallet Kukësi ose Partizani.

Rregullorja për klasifikimin do të futet më shumë se kurrë në lojë, pasi në një garë kaq të fortë, nuk është çudi që titulli të vendoset nga golat e shënuar në ndeshjet mes ekipeve përkatëse apo golavarazhi gjatë kampionatit. Kukësi ka një shans të artë, pasi edhe këtë javë kundër Partizanit luan për dy rezultate, ndërsa Skënderbeu e pret në “Zeqir Ymeri”. Ndërsa të kuqtë duhet të fitojnë patjetër për të mos ndierë në fund shijen e hidhur të një titulli të humbur me pikë të barabarta.

SI E FITON KUKËSI

Luan tri ndeshje jashtë fushe ndaj Partizanit, Korabit dhe Luftëtarit, si dhe dy në shtëpi me Flamurtarin dhe Skënderbeun. Kukësi rekordmen i këtij sezoni (31 ndeshje pa humbje) nis sprintin final për titull në përballjen direkte me të kuqtë. Në kryeqytet i intereson edhe një pikë, pasi në 3 takimet me të kuqtë këtë kampionat nuk njeh humbje.

Kalkulimet

* Barazon me Partizanin dhe merr pikët e plota në të gjitha ndeshjet e mbetura. Nëse në fund e mbyll me pikë të barabarta me Partizanin, përfiton nga pikët e grumbulluara në ndeshjet direkte mes ekipeve përkatëse (1 fitore e Kukësit dhe tri barazime);

* Fiton me Partizanin dhe humbet në Kukës 0-1 ndaj Skënderbeut (grumbullon 12 pikë në pesë ndeshjet e mbetura). Sërish përfiton nga rregullorja për klasifikimin – “pikët e grumbulluara në ndeshjet e zhvilluara midis ekipeve përkatëse”. Me këtë variant, edhe nëse në fund ekipet e mbyllin me pikë të barabarta, Kukësi del kampion, pasi korçarëve u duhet të fitojnë 0-3 në “Zeqir Ymeri” për të rrëzuar veriorët me ndeshje direkte. Kukësi ka fituar një ndeshje 2-0 ndaj Skënderbeut, ndërsa dy të tjerat kanë përfunduar 1-1 dhe 0-0.

* Të humbasë 1-0 me Partizanin, të fitojë të gjitha ndeshjet e tjera dhe të mbyllë kampionatin me pikë të barabarta me të kuqtë (lë tri pikë Partizani gjatë rrugës). Me këtë variant hyn në fuqi diferenca e golave të shënuar dhe të pësuar gjatë kampionatit, teksa nuk merret parasysh diferenca e golave të shënuar dhe të pësuar në ndeshjet mes ekipeve përkatëse, pasi gjithçka është e barabartë (1-1).

* Barazon me Partizanin dhe Skënderbeun, fiton tri ndeshjet e tjera dhe në fund përfiton nga një barazim ose fitore e mundshme e korçarëve në sfidën direkte me të kuqtë. Me këtë variant, kampionati do të mbyllej me Kukësin 76 pikë, Partizanin 76 pikë dhe Skënderbeun 73.

SI E FITON PARTIZANI

Me Kukësin nuk ka humbur kurrë në shtëpi, por tani i duhet të luajë një finale për të bërë hapin e madh drejt titullit të munguar prej 24 vitesh. Partizani duhet të likuidojë verilindorët këtë javë për të vijuar më pas i qetë rrugëtimin. Në ndeshjet ndaj të mëdhenjve ka treguar supremaci, por këtë sezon i mungon një fitore me Kukësin.

Kalkulimet

* Fiton me Kukësin 2-0 dhe merr në total 12 pikë në pesë ndeshje, duke pranuar edhe humbjen në Korçë. Me këtë variant të kuqtë përfitojnë në rast barazimi me pikë me Kukësin, për shkak të diferencës së golave të shënuar dhe të pësuar në ndeshjet mes tyre (2-1 për Partizanin). Pika a), ku merren parasysh pikët e grumbulluara në ndeshjet mes ekipeve përkatëse nuk do të llogaritej, pasi gjithçka është e barabartë me skuadrat që do të kishin nga një fitore dhe nga dy barazime secila.

* Fitojnë me Kukësin 1-0, por në fund e mbyll me pikë të barabarta kampionatin me veriorët. Këtu bëhen nul dy pikat e para të rregullores së klasifikimit dhe hyn në lojë pika c, pikërisht diferenca e golave të shënuar dhe të pësuar gjatë kampionatit. Kush ka golavarazh më të mirë në total do të jetë fituesi i titullit me këtë variant.

* Barazon me Kukësin, më pas fiton tri ndeshjet e radhës dhe përfiton nga barazimi i mundshëm ose triumfi i korçarëve në duelin direkt Kukësi-Skënderbeu në javën e parafundit. Në fund shkon në Korçë për 1 pikë. Nëse del ky variant shpallet kampion, pasi e mbyll kampionatin me 76 pikë, ndërsa Kukësi dhe Skënderbeu me nga një pikë më pak.

* Nëse në ndeshjen e fundit në Korçë shkon +3 pikë dhe ka Skënderbeun ndjekësin më të afërt është automatikisht kampion, pasi edhe po u mposht nga bardhekuqtë përfiton nga ndeshjet direkte (barazim në fazën e parë dhe ka fituar në fazën e dytë dhe të tretë, 1-2 dhe 1-0).

SI E FITON SKËNDERBEU

Kur titulli varet nga të tjerët. Këtij Skënderbeu mund të mos i mjaftojë për të dalë kampion, edhe nëse i fiton të pesta ndeshjet e mbetura. Gabimet gjatë rrugës kanë penalizuar kampionët në fuqi që po kalojnë një formë të shkëlqyer dhe duket se më shumë kanë futur presionin rivalët, pasi e ndiejnë veten mjeshtër të këtyre situatave.

Kalkulimet

* Të mbyllet barazim Partizani-Kukësi dhe Skënderbeu të fitojë të gjitha ndeshjet e mbetura.

* Të fitojë të gjitha ndeshjet, por me shpresën që javën e fundit ndaj Partizanit të mos jetë -3 pikë nga këta të fundit, pasi nuk ka asnjë shans rikuperimi, duke qenë se në tri fazat e para ka humbur dy herë dhe ka barazuar një herë ndaj të kuqve. Me këtë variant digjet nga pika a) e rregullores së klasifikimit, ku merren parasysh pikët e grumbulluara në ndeshjet e zhvilluara midis ekipeve përkatëse.

* Nëse fiton të gjitha ndeshjet dhe e mbyll kampionatin në vend të parë me pikë të barabarta me Kukësin, atëherë duhet të ketë triumfuar në ndeshjen e parafundit në “Zeqir Ymeri” me shifrat 0-3, në mënyrë që të shpallet automatikisht kampion.

* Nëse fiton në Kukës 0-2 dhe në fund del me pikë të barabarta me këtë skuadër, atëherë do të merret parasysh diferenca e golave të shënuar dhe të pësuar gjatë kampionatit. Në këto kushte bien poshtë pikat a) dhe b), ku merren parasysh pikët e grumbulluara dhe diferenca e golave të shënuar dhe të pësuar në ndeshjet mes tyre, pasi gjithçka është barazim, qoftë me ndeshje, por edhe me gola.

* Kukësi mund Partizanin këtë javë dhe Skënderbeu i fiton të gjitha ndeshjet e mbetura, por sërish korçarët shpallen kampion nëse gjatë rrugës veriorët gabojnë dy herë, jo një herë. Bardhekuqtë penalizohen nga ndeshjet direkte dhe fitorja me tre gola diferencë i shpëton./Panorama Sport/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje