Një pritje të gjatë ndoshta po i vjen fundi, sfida me Kukësin këtë të premte mund të vendosë shumë mbi fatet e Partizanit për t’u rikthyer te titulli kampion pas plot 24 vjetësh, dhe klubi i kuq fton tifozët për të mbështetur skuadrën në këtë 90 minutësh vendimtar duke bërë të ditur edhe cmimet e biletave për kryendeshjen e javës së 32-të që luhet në “Selman Stërmasi”. Kështu biletat në Tribunat A1, A2, B1, B2 që në gjuhën popullore konsiderohen si tribuna do të kushtojnë 2 mijë Lekë, ndërsa për pjesën tjetër të stadiumit kostoja e një vendi në “Selman Stërmasi” është 500 Lekë.
Natyrisht që tifozeria e Partizanit si skuadër pritëse do të ketë pjesën e luanit, ose thënë ndryshe gjithë stadiumin me përjashtim të sektorëve, A2, H1 dhe H2 që janë rezervuar për tifozerinë mike.
Duke patur parasysh rëndësinë e ndeshjes në fakt Partizani me një gjest domethënës ka bërë të mundur për tifozerinë e Kukësit pothuajse dyfishin e kuotës prej 5% të biletave që sanksionohet nga rregullorja për skuadrat mike, pasi bëhet fjalë për rreth 1 mijë bileta. Shitja e biletave ka nisur ndërkohë në biletarinë pranë stadiumit “Selman Stërmasi”, natyrisht për një ndeshje të shumëpritur nga tifozët e kuq me klubin që i ka ftuar të mbështesin ekipin në atë që Partizani e konsideron një finale për titullin.