REPORTAZHI/ Protesta, një gur prove që nuk qëlloi askënd

14 Maj 2017, 09:46Politika TEMA

Nga Andrea Danglli

13 maj 2017. Shqipëria zgjohet me lajmin se mijëra qytetarë janë nisur nga i gjithë vendi drejt Tiranës për të marrë pjesë në protestën e thirrur nga opozita. Sipas Partisë Demokratike, njoftohet se pas orës 12:00 do të hidhen themelet  e “Republikës së Re”.

Prej disa ditësh qarkullonin lajme për destabilizim, skenarë dhune apo gjendje kausi. Disa ambasada të huaja të akredituara në Tiranë këshillonin në gjendje frike rezidentët e tyre që t’i qëndronin larg këtij tubimi. Të tjera e kanë kaluar disi më në heshtje ngjarjen.

Edhe pse lajmet e mëngjesit nuk janë ishin të mira, organizatorët e protestës vijonin me pregatitjet, duke u kujdesur që me doemos të mbahej fjala dhe bulevardi të mbushej me 600 mijë protestues.

Mëngjesi e gjeti çadrën pothuajse bosh.

Ndryshe nga herët e tjera, nuk pipëtinte më asgjë. Kishin heshtur bisedat, fjalimet apo brohorimat. Pas 85 ditësh, zërat kishin dalë jashtë saj.

Qetësinë e prishte veç raportimi i ndonjë gazetari apo biseda e kalimtarëve që hidhnin hapa të nxituar mbi bulevard.

Më tutje dëgjohej paksa edhe zhurma e komunitetit LGBT, të cilët dje për koiçidencë kishin zgjedhur të pedalonin për të drejtat e tyre.

E gjithë kjo panoramë të ngjallte një përshtypje pesimiste për të besuar se një qeveri do të ikte dhe një tjetër do të vinte.

Pjesmarrësit

Porosia për kryetarët e partive të opozitës në rrethe, lidhur me protestën e 13 majit ishte e qartë: Siguroni pjesëmarrjen e sa më shumë qytetarëve! Duhet të jemi shumë…

Prej kohësh tashmë dihet se në ditët e manifestimeve apo të  protestave, konsiderohen me fat nga pronarët e autobusave, pasi kanë mundësi të fitojnë ndonjë gjë. Madje edhe në rastet kur kur përfitimet kanë qenë kombëtare dhe jo ato financiare.

Automjete të shumta një e nga një zbrazeshin në periferi të Tiranës dhe fshiheshin gjetkë në ndonjë parkim.

Ndryshe nga 18 shkurti, duket se 13 maji ka frenuar mjaft qytetarë. Teksa akrepat i afroheshin orës 12:00, mijëra protestuesit e paralajmëruar nuk dukeshin kërkund.

Mjaft njerëz për një arsye apo për një tjetër, kishin zgjedhur të mos ishin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Teksa pyesnim të kureshtuar pjesmarrës të tjerë, justifikimet ishin nga më të shumtat, nga më të justifikueshmet, qoftë edhe nga më të çuditshmet.

Disa prej organizatorëve të protestuesve në rreth kishin deklaruar numra fiktivë pjesmarrësish nga ata që sollën.

Mbase edhe ky ishte një ngërç që ndikoi në bilancin e shifrave.

Kritikët e Lulzim Bashës

Në media janë ngritur diskutime të forta mbi kritikët e kryeopozitarit Lulzim Basha. Entuziastët gjithnjë e më tepër janë hedhur në sulm kundër zërave që kanë kundërshtuar hapur vendimet e liderit të PD-së.

Shumë demokratë nën zë dhe me zë i konsiderojnë ato si të drejta, ndërsa disa të tjerë si të vonuara.

Gjithsesi, Jozefina Topalli dhe Majlinda Bregu zgjodhën të ishin mes protestuesve.

“Erdha në protestë për bindjen time dhe forcën e një zakoni që nuk dua ta harroj kurrë. I thashë vetes se pavarësisht fajit të madh të mospjesëmarrjes në zgjedhje, vend për të protestuar ka që ç’ke me atë punë. Kundër kësaj qeverie dhe të keqes që e ndeshim çdo ditë, ka vend për të protestuar gjithmonë,” argumentoi Bregu, teksa shprehte dhe një sërë rezervash për  Bashën.

Ndërkohë, Jozefina Topalli tregohet disi më e përmbajtur pavarsisht se një tërheqje veshi nuk e kursen për krun e PD-së.

“Unë e kam thënë se kam diferenca të mëdha me Zotin Basha në mënyrën e të bërit opozitë, por sot dua të rri më këta burra dhe gra që kanë hallin e mbijetesës së tyre,” nënvizon Topalli.

“Pëshëndetja” e Edi Ramës

Teksa përpara kryeministrisë flitej për “Republikë të Re”, për revulucion demokratik dhe për shporje të qeverisë, shefi i kabinetit qeveritar Edi Rama dërgoi një përshëndetje nga Selenica për protestën.

Ai zgjodhi ta ironizojë atë duke postuar një fotografi  të disa prej aleatëve të Bashës, duke e shoqëruar me dixhiturën: “Mbahuni burra, po vjen republika e re!”

Siguria

Shumëkush të paktën e çoi njëherë në mëndje se si do të shkonte mbarëvajtia e protestës ditën e shtunë.

Analistë të shumtë për disa ditë me radhë hodhën hipoteza të ndryshme.

Diku paralajmëroheshin grupe të vogla qytetarësh të cilët po pregatiteshin nga ish-drejtues policie për të sulmuar godinën e qeverisë, të tjerë shkonin më tutje duke parashikuar përplasje të dhunshme mes civilëve dhe forcave policore, kishte dhe nga ata që nuk shihnin asnjë alternativë kausi.

Asnjë nga këto skenarë fatmirësisht nuk mori jetë.

Masat e sigurisë ishin mjaft të rrepta.

Policia e Shtetit njoftoi se 2000 trupa do të blindonin zonën dhe do të kujdeseshin që gjithçka të shkonte ashtu siç duhet.

Vetë ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj lëvizi në këmbë përgjatë bulevardit ku u vendosën kordonët policorë për të mos lejuar prishjen e rendit dhe sigurisë.

Ndryshe nga herët e tjera, asnjë nga efektivët nuk ishte i pajisur me armë.  Mbi institucione u vendosën grupe efektivësh që vëzhgonin lëvizjet e protestuesve për të shmangur incidente të mundshme.

Kishte dhe nga ata të cilët u inflirtuan mes turmës për të monitoruar më nga afër situatën.

Në fund, bilanci i sigurisë ishte pozitiv: Asnjë incident.

Fjalimi i Bashës

Lideri i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ishte personi i fundit që u ngjit në podiumin e improvizuar për të folur.

Ai kishte zgjedhur të bënte një përmbledhje të të gjitha ligjiratave të tij nga çadra e protestës.

Fjalimi i Bashës edhe njëherë vendoste theksin tek qeveria teknike, tek cilësia e zgjedhjeve dhe tek një sërë problemesh sociale që sipas tij kërkojnë zgjidhje të menjëhershme.

Ndërkohë, ai paralajmëroi edhe një protestë të tretë, pa dhënë një datë se kur do të mbahet.

Me gjasa, tubimi pritet të ndodhë datën e zgjedhjeve, edhe pse deri më tani nuk ka asnjë të dhënë zyrtare.

Gjatë fjalës së tij kryeopozitari dukej i vendosur në qëndrimet e tij për të vijuar në të njëjtin drejtim dhe rritëm pa marrë parasysh kritikat brenda forcës që drejton, këshillave të demokratëve apo apelit të ndërkombëtarëve për “luftë” politike brenda parlamentit dhe jo brenda çadrës.

1 komente në “REPORTAZHI/ Protesta, një gur prove që nuk qëlloi askënd”

  1. Fatosi-kosove says:

    Lul dje me eshte bere zemra mal ashtu si edhe mbi 90% te shqiptareve dhe gjithe europes e amerikes,e di qe ti nga dje ke humbur edhe shpresen per jete ashtu si edhe vllaznit tu serb,grek e makedon por kjo eshte pritur dhe uruar nga shqiptaret,prandaj lul kurre mos te pafsha ma mire ty as sali berishen por as ata ne qader,pasi dje edhe shesheli ka rene ne trishtim edhe gruevski edhe tciprasi e janullatosi,po fazlliqi ku eshte mos ndoshta ka psuar infrakt nga ajo qe ka pare ne shesh,ku me shume une kisha miq ne dasem sesa ti per republiken e re,dhe aty ka nje dallim lul se ti mbi 50% te njerezve ne shesh i kishe nga lazarati dhe qiftat e ristanit te deshmuar per vjedhje ne zgjedhje,pra ky eshte qellimi yt,kthimi i lazaratit ne republike te re dhe e ristanit ne kqz qe te besh bienrsin e droges si dikur ne lazarat dhe zgjedhjet si dikur me ristanin e kjo luliq ka perfunduar,ty te roft qadra dhe ata kriminel qe ke aty,kurse shqiptaret ecin para.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje