Tullumbaci

14 Maj 2017, 20:11Blog TEMA
Tullumbaci

Nga Met Dervishi

Protesta e 13 majit ka dhënë shumë përgjigje për aftësinë e politikes për të manipuluar shqiptarët, sidomos për aftësinë e retorikave populiste për t’i mobilizuar ata.

Në rrafsh intelektual, ka pasur e ka një debat gati njëqindvjeçar për shqiptarin që manipulohet lehtësisht, një debat që e ka gjeneruar Faik Konica me Zululandin e tij të famshëm, madje , jo rrallë dhe jo vetëm në bisedat e zakonshme, në raste zhgënjimesh, shqiptarëve u referohemi si banorë të republikës  së Konicës.

Por protesta  ka qenë për të gjithë shqiptarët, që sot jetojnë në hapësira kontinentale duke komunikuar me njëri-tjetrin, një relaks psikologjik kolektiv.

Nga pikëpamja statistikore, protesta e çadrës për lidershipin e Partisë Demokratike ka qenë një këmbanë që sinjalizon shpërbërjen e saj, të cilën ajo as nuk e dëgjon e as pritet ta dëgjojë, nëse nuk shndërrohet dhe ajo vetë në një institucion demokratik.

Por, në të njëjtën kohë, ky dështim është triumf për demokracinë shqiptare dhe sot e tutje partitë politike, jo vetëm Partia Demokratike, duhet ta kuptojnë se koha e kopeve të turmave që shndërrohen në mish për top për liderët e tyre ka mbaruar një herë e përgjithmonë.

Natyrisht që shoqëria shqiptare ka problem me drogën, korrupsionin, pandëshkueshmërinë, partitokracinë, etj. etj.

Këto probleme, po të artikulohen me retorika populiste, një demokracie të brishtë në vend që t’i verë vetullat mund t’i nxjerrë sytë.  

Por, megjithëse janë të vetëdijshëm për këtë, dyshja Berisha –Basha ka pasur pikërisht këtë objektiv, që nëpërmjet një diskursi agresiv të nxisin demat e turmave për të destabilizuar vendin, ose, siç kanë pritur gjatë, për t’i detyruar kundërshtarët t’ua japin pushtetin në tavolinë, sidomos Vetingun.

Dhe, në vetëdijën e tyre, kuptohet, thellë thellë kanë kujtuar se kanë përballë zululandin dhe jo shqiptarin me tridhjetë vjet përvojë demokratike e njëqind vjet dështime.

Por dështuan.

Nuk ka qenë një dështim i zakonshëm.

Së pari, se kanë tre muaj që nxisin instinktin e vrasjes kundrejt “armikut të popullit”, që në rastin konkret është kryeministri Edi Rama, dhe kanë pritur që kopetë e turmave të Zululandit, me hunj në e cfurqe në duar, të rrethojnë kryeministrinë.

Dhe, meqë kanë pasur parasysh gjithnjë zulutë, për festimet pas “vrasjes”, kanë  po tre muaj që kanë ngritur në qiell vegimin e një balloni me ngjyra të republikës së re, që do të duhej për argëtimin e tyre pas “vrasjes”.

Pra, në mesazhet e tyre ishte dhe “vrasja”, dhe “festa” pas saj, sipas stilit zulu.

Të mos harrojmë që para katër vjetësh kjo parti ka marrë 600.000 vota, megjithëse humbi.

Dhe, të mos harrojmë që kjo parti ka në historikun e saj jo vetëm aspiratën europiane të shqiptarëve, por dhe  rreth tridhjetë vjet pushtet në pozitë e opozitë, pra ka qindra e mijëra njerëz të lidhur me të me interesa dhe me ide.

Por, dronët e protestës tregojnë qartësisht që mesazhet e çadrës nuk i kanë refuzuar vetëm qytetarët “gri”, që e ndiejnë peshën e korrupsionit, partitokracisë etj., etj.

Dronët e protestës tregojnë që mesazhet e çadrës i kanë refuzuar vetë njerëzit e Partisë Demokratike dhe këtu qëndron triumfi i saj.

Kurse balloni me ngjyra, që  e frynë e e frynë për tre muaj rresht, sot plasi mbi çadër.

Ishte një tollumbac demagogësh që sinjalizon sakaq dhe fundin e tyre, e jo vetëm të atyre të Partisë Demokratike.

Ndoshta, dhe fundin e debateve për zulutë që jo rrallëherë mbërrin si i tillë dhe në veshët e miqve ndërkombëtarë të shqiptarëve nga intelektualët “trendy”, që kujtojnë se po denigruan historinë e tyre bëhen” europianë”.

 

5 komente në “Tullumbaci”

  1. Albani says:

    Bravo z.Met.Analize e sakte dhe me pak fjale.

  2. Lulushani says:

    Republika e …..ORDHËS, u ….ORDH!!
    Na qelbi me erë të keqe!
    BASHA E BERISHA , U DHJENË?
    PRESH ZOGAJ , FITOI!!!??
    JU PËRMBUSHËN PRITSHMËRITË ME KËTË PROTESTË!
    KU TA KETË QELLIMIN KY PRESH-LESHI ,ME KËTO QË THOTË???
    APO , GALLATË .! FUTJA KOTË ,SE MILITANTËT E PD-së,
    E HANË,! PRESHIN ,,, PRESHIN,,????

  3. Anarko-Sindikalisti says:

    Tullumbaci – Tosun Baçi (Basha), me plakun Mere (Berisha)

  4. kleptofagos says:

    Shqiperia ka nevoje urgjente per protektorat te BE-se dhe mandat te kufizuar kohor per te zgjedhurit vendas. Mocali i korrupsionit politik ne Shqiperi nuk mund te pastrohet nga elita aktuale. Duhet te rrjedhe shume uje, qe te qarkulloje dhe pastrohet ky batak nga krimi dhe vjedhja masive. Nje guvernator i huaj qe do denoje cdo shkeles te ligjit dhe nje rryme e forte, e vazhdueshme me prurje te reja ne te gjitha hallkat e shtetit, do te zevendesoje mafien e pushtetit qe na ka grabitur dhe qeverisur prej shume vitesh. Kemi nevoje per gjak te ri dhe te pa infektuar, por kjo nuk arrihet me Sali (Lul) Berishen, Ilir Meten dhe Edi Ramen. Mafia ushqehet me votat e popullit dhe kushdo qe te marre vota me 18 Qershor, nuk ka per te ndryshuar asgje. Bojkoti masiv ne zgjedhjet e ardhshme do te binde Europen per nevojen e nje protektorati.

  5. xxxx says:

    Bravo analiza me me nivel te duhur deri tani rreth kesaj ceshtje pa pike dyshimi

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje