20 Maji 2017 do të mbahet mend në histori si data e lamtumirës së një prej lojtarëve më të mëdhenj të futbollit, Philipp Lahm.
Një mbrojtës pa konkurrentë, në gjendje të shënojë gola, të japë asiste, me klas të jashtëzakonshëm dhe personalitet e profesionalizëm të pashoq.
Ndoshta mbrojtësi më i mirë në historinë e Gjermanisë, Phlipp Lahm, i dha lamtumirën futbollit ditën e sotme.
Thjesht një legjendë, ashtu siç u cilësua me të drejtë edhe nga faqja zyrtare e Bundesligas.
E nisi karrierën në Bayern Munich dhe e përfundoi aty, në një ambient të mrekullueshëm të krijuar në “Allianz Arena”.
Lahm ka pasur një karrierë të shkëlqyeshme, i cili ka bërë më shumë se 500 paraqitje për Bayernin dhe ka fituar 21 tituj, duke mos u ndëshkuar asnjëherë me karton të kuq.
Në karrierën e jashtëzakonshme, mesfushori ka fituar tetë Bundesliga, tri Superkupa të Gjermanisë, 6 Kupa të Gjermanisë, një Champions League, një UEFA Superkupë dhe një Kupë të Botës për Klube. Derisa me Gjermaninë ka fituar Kupën e Botës.
Një karrierë e jashtëzakonshme, që nuk do shumë fjalë, lamtumirë legjendë.