Grupimi i tifozëve të Partizanit, “Ultras Guerrils”, ka bërë një postim në rrjetet sociale ku i drejtohet tifozerisë së Tiranës duke i kthyer përgjigje kësaj të fundit për ankesat e shumta rreth rënies nga kategoria të bardhebluve.
Mbështetësit e Partizanit nuk janë kursyer, duke i kujtuar tifozëve bardheblu se si vetë klubi i tyre kishte dhënë sinjale të qarta të aleancave në favor të skuadrave të tjera dhe ishte kujtuar shumë vonë për rrezikun e rënies.
POSTIMI I ULTRAS GUERRILS
S’ka Dinamo as Tiranë por ka vetëm Partizan !
Nuk i rrëzuan, ranë. Nuk ua bëri kush, ja bënë vetes. Nuk kishin armiq, por mullinj ere. Nuk luajtën futboll, po u vetëprostituan. Nuk ishin pa fat, e merituan ! Nuk ja kishte fajin stadiumi, as “kamunisti”, as “katunari” as “maloku” as “jabonxhiu”, por skizofrenia…
Ranë nga kategoria për (pa)meritë sportive !
Askush nuk i hodhi, askush nuk i sulmoi, askush nuk u pati faj, thjesht konfirmuan nëpërmjet këtij sezoni që nuk kanë pasur dhe nuk do të kenë kurrë identitet, që u kthyen në një ekip patericë aleancash, i vulosur si prostitucion edhe nga Federbet.
Ishin ai ekip i shëmtuar që ka dy faza kampionati që nuk fiton një ndeshje të vërtetë. Është ai ekip që ruajti 5 javë kampionati lojtarët dhe që shpresonte të kapte një barazim me ne! Është ai ekip sharlatan, i një klubi sahan, me tifozë hajvanë.
E merituan rënien që iu vinte vërdallë prej sezonesh me radhë. E meritonin në kohën e fitores së fundit në derbin e falur. E meritonin që atëherë me një sezon ku të gjitha ekipet i jepnin lëmoshë pikësh. E stërmerituan kësaj radhe kur vendosën të bëhen ekipi i dorës së dytë, patericë pa objektiva dhe identitet.
Duke u zvarritur ndaj Kukësit, me pak fjalë e bënë si ajo shprehja “po djeg shtëpinë time që komshiu të mbetet pa komshi “. E meritonin dhe heqjen e pikëve si në rastin e Flamurtarit. E kanë merituar prej shumë sezonesh por jo, federata i përkëdhel ndërsa këta viktimizohen. E meritonin mbase edhe për faktin se nuk iu punonte faksi apo koka.
Dikush ngashërehet shtirur e guxon dhe krahason largimin me forcë të Partizanit nga Superiorja me rënien e turpshme të ekipit të Toptanëve. Mjafton t’i kujtojmë flamurin e ngritur të Arian Malit dhe malin me padrejtësi që iu bë Partizanit, ekipit të papaguar, që mbahej e paguhej tërësisht me kontributet e tifozëve, nismën e gjimnazistëve, pa president, i nxjerrë me forcë nga ambientet e klubit nga pushteti i atëhershëm me kompromis politikanësh të djathtë e të majtë, me qëllim zhdukjen e emrit të Partizanit dhe që ndërtuan te ish-kompleksi ynë pallatet e tyre të turpit.
Kjo e fundit pa sukses, arsyet dihen dhe gjenden tek dashuria e tifozerisë së kuqe që qëndroi me krenari kundër presidentit, por gjithnjë krah ekipit. Ndërsa minjtë spërdridhen ndaj një presidenti që deri dje i shpërndante tollumba Korçe (kërnacka), dasma, synetlliqe e ahengje, por nga ana tjetër e braktisin ekipin e tyre se të kuqte i “zunë” stadiumin.
Prandaj ajo elegjia kolektive nëpër studio e emisione nuk ju ngjit. Prandaj nuk ja ngrefni askujt me romanticitetin e futbollit të bukur, që Tirana i duhet kampionatit. Na thoni cila Tiranë? Ajo që zvarritet, qyrravitet, zhgarravitet? Ajo që ndaj Partizanit shkatërrohet për të marrë një barazim dhe që humb me Laçin, Luftëtarin e Korabin dhe që hap këmbët ndaj Kukësit?
E meritojnë dhe bindesh më shumë që e kanë stërmerituar dhe që nuk iu mbetet më asnjë lloj justifikimi, kur me bisht ndër shalë e kokulur shpresojnë thellë nën vete ndonjë amnisti, ripeshkim a zgjerim kampionati. Gjëra të pamundura sipas logjikës, sipas ligjit. Por kurrë mos thuaj kurrë!
Eksperienca e “sistemit” që ata evokojnë si të viktimizuar në çdo moment na e kujton vitin 74 të largët kur Byroja i shpikte play-off vetëm që t’i mbante “të persekutuarit”. Në 2014 FSHF dhe klubet që të falnin lëmoshë rrëzuan Ballshin në mes të kampionatit nga kategoria që minjtë të shpëtonin dhe siguruan mbijetesën me ndeshje të paluajtur ndaj Kavajës.
E njëjta gjë kërkohet të bëhet sërish, të shpiket një mënyrë shpëtimi për skuadrën pa shpëtim, që nëse do t’i kishte mbetur pak nder (dyshojmë se ka pasur ndonjëherë), do pranonte fatin e saj!
Në fund një mesazh për tifozët me vija, do ishim hipokritë të mëdhenj nëse nuk do ua kujtonim që ne ju futëm në krizë me një deklaratë, u përziet u hodhët përpjetë për stadiumin e rikonstruktuar nga firma Refikut. Nuk duronit dot që ne të luanim e të fitonim në atë fushë ndërsa ju e dinit që s’do mundeshit të ishit si ne.
E dinit që s’do e mbushnit sa ne, e dinit që nuk i matnit dot forcat me ne. Shpikët bojkotin, i ikët përballjes me ne, i ikët përballjes me ekipet kundërshtare edhe përballjes me presidentin tuaj. Shkurt ekipi ra se “ty ta boni koka”. Vazhdoni luftën me Refikun dhe bëjini fresk Lut Nurit, veç ktë intrigë bëjeni pak më fshehur se bini kollaj në sy.
E pate Edin e famshëm të “Fear of the red” aty të strukur në Xhomllik? U çmendët kur stadiumi yt, tempull siç e quanit u shndërrua i kuq flakë e shkruhej me germa të mëdha emri që sundon qytetin prej ’46. Nuk guxove edhe pse u mundove shumë të dilje përballë. Në fund fituam ne!
Fituam por nuk gëzojmë, bile qajmë pikët e sigurta që do ua merrnim vitin tjetër. Koha tregoi që fituam që në fillim… tani nuk ju mbetet gjë tjetër veç se të merrni arkivolin sërish, të dilni në kortezh e kësaj radhe mos e lini bosh, merreni të gjithë skizofreninë tuaj futeni në të dhe varroseni diku mbase do shpëtoni…