Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka hedhur sfidën e radhës për debat me kryeministrin Rama. Si aspirant për postin e kryeministrit, ai ka filluar ta përmendë shpesh e më shpesh këtë ditët e fundit gjatë daljeve për fushatë elektorale. Duket sikur ka marrë zemër nga zhvillimet e reja brenda partisë së vetë, të cilën e konsideron në publik si më të bashkuar se kurrë më parë, ndërkohë që përçarjen e sheh tek Partia Socialiste. Natyrisht, nuk mund të mos ia quajmë të “vërtetë” këtë duke besuar se e ka fjalën për lëvizjen e Ben Blushit, por miqësisht i sugjeroj që të mos shohë qimen në syrin e PS-së kur ka traun në syrin e vetë.
Gjithsesi, për t’u kthyer tek tema që dua të cek. Siç edhe theksova më lart, me kërkesën e tij për debat me Ramën, duket se Basha kërkon të krijojë avantazhin e dorashkës së hedhur. Aq shumë po e përmend sa të krijohet përshtypja se po e komplekson Ramën me këtë kërkesë. Në fakt, nëse ka diçka që Edi Rama nuk ta përton, janë ballafaqimet. Dhe, nëse do marrim shembull nga opozita, debatuesi më i madh që ajo ka në radhët e saj është lideri historik Sali Berisha. Gjatë legjislaturës që sapo u mbyll, si Rama, si Berisha, ndanë të njëjtën sallë. Për 4 vjet qëndruan përballë njëri – tjetrit dhe u panë sy më sy. A patë ndonjëherë që kryeministri Rama të bishtnonte përballjet me Berishën?! Kurrë! Flakë për flakë kanë debatuar, ndonëse Berisha s’i ka lënë gjë mangët pa i përmendur Ramës. E megjithatë, Rama ka ditur që duke përdorur forcën e argumentit dhe ironinë therëse, ta shfryjë plotësisht arsenalin atomik që përdor Berisha kur është në të vetat.
Nga kjo pikëpamje, të krijosh idenë se Rama po i bishtnon kërkesës së Bashës, më duket absurde. Lulzim Basha mendon se me një debat televiziv, duke përdorur marifetin e llafazanit që s’i pushon goja, duke marrë pozat e një populisti që s’ka asgjë se çfarë të humbi, shpreson që ta vërë në pozitë të vështirë Ramën i cili do mundohet të ruajë etikën me idenë: budallait hapi rrugë. Dhe Basha kujton se po të llapësh sa më shumë, siç ai e mendon debatin me kundërshtarin, të krijojë mendimin në popull se ai është më i përgatituri për të qenë në rolin e timonierit të qeverisë.
Pavarësisht modelit që shpreson Basha, ku argumenti duhet të kalojë në plan të dytë dhe akuzat personale të dominojnë debatin, unë i jap plotësisht të drejtë në të drejtën e tij që të kërkojë debat televiziv me Ramën. Sepse, fundja, sado akuza të bëjë ai mbi Ramën, ku padyshim theksin do e ketë tek lazaratizimi i Shqipërisë, asgjë nuk mund t’ia justifikojë Lulzim Bashës: 1. nënshkrimin e një marrëveshje për dhurim ujërash territorialë fqinjëve jugorë; 2. Mbyllje me procedurë pa u gjykuar të një vjedhje qindra milionëshe të dokumentuar nga KLSH; 3. Përgjegjësinë si ministër i Brendshëm që ndodhej në vendin e ngjarjes, në Kryeministri, ditën kur vartësit e tij qëlluan mbi 4 burra me duar në xhepa. Mjaftojnë këto 3 super argumente që çdo pretendim i tij të zerohet sepse ai është personazh i pabesueshëm. Këto janë çështje thelbësore me të cilat duhet të merret pa mëdyshje drejtësia e re që do themelohet nga Reforma në Drejtësi.
Gjithsesi, duke i qëndruar linjës që ai e ka të drejtën e kërkesës për debat, do më duhet sërish t’i vë në dukje se përpara ballafaqimit me Ramën, ai duhet të kalojë një paradhomë. Ajo paradhomë quhet Erion Veliaj. Po, po, mos u çudisni! Vërtetë mund të mendohet: po ç’punë ka Basha të bëjë debat me zotin Veliaj?! Ai nuk po kandidon për kryetar bashkie?! Ajo është një kapitull që ai e ka mbyllur me kohë duke hequr dorë nga rikandidimi për të aspiruar për detyrë më të lartë?!
Natyrisht, të gjitha këto pyetje e mbase edhe të tjera, kanë njëfarë të drejte, sepse sot diskutohet posti i qeverisjes qendrore, jo asaj vendore. Por, pavarësisht këtyre argumenteve bishtnues, nuk duhet harruar se Lulzim Basha duhet të japë njëherë llogari përpara qytetarëve të Tiranës për punën e vet si i pari i qytetit për 4 vitet që qëndroi aty. Ai nuk mund të fshihet pas dështimit të doktor Halim Kosovës, sepse po arriti të thotë se vota kundër doktorit ishte votë kundër tij, atëherë ai s’ka më asnjë të drejtë morale për t’u futur në këto zgjedhje si aspirant për kryeministër. Të mos harrojmë, nga 140 deputetë që përbëjnë Kuvendin, 31 prej tyre vijnë nga Tirana (duke zbritur 3 që i përkasin Kavajës, Kamzës dhe Vorës), Në total bashkia Tiranë përbën 21 për qind të numrit të deputetëve.
Sa herë kam menduar për postin e kryeministrit, gjithmonë kam patur mendimin që kandidati të ketë kaluar fillimisht një eksperiencë si kryetar bashkie. Dhe, mundësisht ajo bashki të ishte kryeqyteti. Detyra e kryetarit të bashkisë, sidomos asaj të Tiranës, t’i nxjerr më shumë në pah vlerat e tua si menaxher, i suksesshëm apo i dështuar qofsh. Vetë Tirana është si një shtet brenda shtetit, si për nga popullsia që jeton aty, burimet njerëzore të institucionit dhe nga financat që ka. Bashkia ka parlamentin e vet që është këshilli bashkiak, ka ministritë e veta që janë ndërmarrjet e shumta me të cilat ndiqet mbarëvajtja e punëve. Qenia kryetar bashkie të jep përvojën e parë për të qenë më pranë halleve dhe problemeve të njerëzve, të dish nevojat e tyre, t’i prekësh në miniaturë, për të qenë më i përgatitur kur të të jepet mundësia të qeverisësh një territor dhe popullsi më të madhe.
Si Rama, ashtu edhe Basha, e kanë kaluar këtë eksperiencë. Po, përse e kërkoj që Basha duhet fillimisht të ballafaqohet me Veliajn? Sepse u ka borxh 4 vite qeverisje banorëve të Tiranës për të dhënë llogari se çfarë u angazhua para se të merrte mandatin dhe çfarë la si produkt kur iku. Pra, cili ishte modeli i tij si kryetar bashkie që, jo vetëm tiranasit, por tani më gjerë, ta besojnë se ai është i duhuri? Lulzim Basha u largua nga ajo detyrë pa llogaridhënie dhe e ka detyrim që ta mbrojë punën e tij 4 vjeçare duke e ballafaquar qoftë edhe me 2 vjeçarin e Veliajt. Absolutisht nuk duhet anashkaluar kjo pjesë, sepse t’i bishtnosh të kaluarës tënde të afërt për diçka kaq konkrete siç është qeverisja vendore, do të thotë që t’i nuk mund të jesh i sinqertë as për gjërat më elementare që t’i pretendosh se do t’i realizosh si kryeministër.
Kush e mendon se Lulzim Basha nuk ka më punë me Tiranën, u them se e ka komplet gabim. Në rast se ai e kalon në heshtje debatin me Veliajn dhe vijon t’i mëshojë vetëm debatit me Ramën, atëherë kemi të bëjmë me një aspirant të rrezikshëm për kryeministër me të cilin nuk duhet eksperimentuar Shqipëria ashtu siç u eksperimentua Tirana. Por, që të mos e paragjykoj deri sa të shprehet Lulzim Basha, po e lë të hapur temën për ta vijuar në një moment të dytë…
Kur Rama ka mundur ti beje balle ne debat Saliut, Lulit I ben e cke me te. Luli po kerkon te zezen e vet me doemos. Po rri urt ore se ske kapacitet ti besh balle Rames ne debat, ne pune, ne mireqeverisje e mireorganizim.
HAHAH LULI DO DEBAT ME RAMEN ATHUA SKA ME KE TE BEJE DEBAT ! PO SHKO O LUL E MERRU ME PD QE ESHT KATANDISUR SIMOS ME KEQ.