Vila luksoze e gjyqtares Entela Shedula, kryetare e Gjykatës së Kavajës, bie lehtë në sy në lagjen me shtëpi të thjeshta në zonën pranë spitalit të këtij qyteti.
Godina trekatëshe, e përdorur për banim dhe një biznes të familjes, rrethohet nga një gjelbërim i dendur pemësh dekorative. E parë me sy të lirë, kuptohet pa vështirësi që për ndërtimin e saj dhe sistemimin e ambientit janë investuar shuma të konsiderueshme parash.
Ajo që nuk duket është fakti që investimi kolosal është përballuar përmes të ardhurave që Shedula ka nga paga e saj si gjyqtare dhe e bashkëshortit të saj.
Referuar deklaratave të pasurisë të depozituara nga ana e gjyqtares në Inspektoratin e Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesave, një kopje e të cilave është siguruar nga “Panorama”, të ardhurat vjetore të gjyqtares Shedula nga rroga e saj ka variuar nga 788 424 lekë të rinj në total, në vitin 2005, në 1 450 999 në vitin 2017.
Sipas deklaratave të gjyqtares, investimet e sipërpërmendura janë mbuluar përmes 3 kredive bankare, 2 milionë, 2.5 milionë dhe 700 mijë lekë të rinj, të marra në një hark kohor prej 6 vitesh. Këstet e majme të këtyre kredive rezultojnë të jenë shlyer nga rroga e bashkëshortëve dhe të ardhurat e fituara nga një biznes i familjes, kopsht privat për fëmijë.
Nga të dhënat zyrtare rezulton se tri kreditë në shumën 5.2 milionë lekë të rinj janë shlyer plotësisht brenda 9 viteve. Kati i tretë i shtëpisë së gjyqtares është ndërtuar fillimisht pa leje dhe është legalizuar më vonë dhe regjistruar në hipotekë