Në përgjigje të pyetjes së Mesila Dodës, deputete e PDIU-së, “pse nuk flitet më për hashashin? Pse nuk kapet më hashash?”, kryetari PSD -së, Skënder Gjinushi, tha mbrëmë ne emisionin “Përballë” të gazetarit Lutfi Dervishi në Televizionin Publik Shqiptar, se “tani kemi hashash teknik”.
Debati për zgjedhjet e 25 qershorit vuri përballë përfaqësues të partive që synojnë të arrijnë përfaqësim në Parlamentin e ardhshëm.
Gjergj Bojaxhi, përfaqësues politik i partisë Sfida për Shqipërinë tha se klasa politike ka dështuar dhe se synon votën e shqiptarëve që ndihen të papërfaqësuar nga partitë aktuale.
Mimoza Hafizi e partisë Libra, tha se synojnë të paktën 10 vende në Parlamentin e ardhshëm.
Mesila Doda, sekretare e përgjithshme e PDIU, u shpreh dyshuese për sondazhet e deritanishme.
Gjinushi tha se sondazhet kanë një synim djallëzor për të përçuar tek votuesit se vota për partitë e vogla shkon dëm.
Sipas sondazhit të parë të publikuar nga Ora Neës dhe IPR marketing, mbi 20% e njerëzve që do të shkojnë të votojnë ende nuk kanë vendosur se për cilën parti do të japin votën.