Kontratë 2-vjeçare, me rrogë afro 600 mijë euro në sezon. Kjo do të jetë shifra që Besnik Hasi do të përfitojë në bazë të marrëveshjes për të marrë drejtimin e stolit të Olympiakos.
Detajet e kontratës janë bërë publike nga menaxheri i trajnerit shqiptar, Ramadani, sipas të cilit në përfundim të 2 vjetëve, ekziston edhe një klauzolë për rinovim me klubin nga Pireu.
Emërimi i Besnik Hasit te 44-herë kampionët e Greqisë, i ka befasuar opinionistët në vendin fqinj, megjithatë mediat belge kanë zbuluar prapaskenat e marrëdhënies ndërmjet palëve, nga të cilat kuptohet se asgjë nuk është e rastësishme.
Ashtu si fakti që presidenti i Olympiakosit, Evangelos Marinakis tentoi ta bindte ish-kapitenin kuqezi që sezonin e kaluar të merrte drejtimin e Nottingham Forest, pasi është edhe bashkëpronar në klubin e Championshipit anglez, por Besnik Hasi nuk e pranoi ofertën.
Sipas vetë trajnerit, gjatë bisedës me presidentin e Olympiakosit, ky i fundit i dha dy arsye përse 45-vjeçari duhej të pranonte detyrën në stolin e “të kuqve”. Fillimisht sepse edicionin e kaluar Olympiakosi nuk luajti në fazën e grupeve të Champions dhe drejtuesit e klubit nuk dëshirojnë që kjo të përsëritet.
Eksperienca e gjakovarit si futbollist, por edhe si trajner me Anderlechtin dhe Legia Warsaw janë një garanci në këtë drejtim. Së dyti presidenti i ka besim se Besnik Hasi është një trajner që mund ta përballojë presionin e jashtëzakonshëm në Pire, ku Olympiakosi ka si objektiv që të fitojë titullin dhe Kupën në çdo sezon, por edhe të ecë sa më larg në Europë./SS/
Nuk ka per ti zgjatur shume kjo aventure ne Olimpiakos..Tifozat greke nuk e duan, arsyeja kryesore nga qe eshte Shqiptar, edhe pse ata perpiqen ta zbukurojne muhabetin duke thene qe nuk eshte trajner i mire per Olimpiakosin sepse eshte zbuar nga Legia (atje nuk dha rezultate te mira ne kampionat). Po ariti te nise kampionatin dhe te fitoje 4-5 lojrat e para edhe mund te rrije, perndryshe, edhe nje humbje te beje do tja hedhin te gjithe fajin ktij dhe do detyrojne Marinakin ta heqin.