Aktorja e njohur Ema Andrea thotë në një intervistë për “Albania Free Press”, se në Shqipëri artistët luftojnë për mbijetesë.
Sa e vështirë është në Shqipëri, të jesh aktor dhe pedagog?
Të dyja janë shumë të vështira. Mësimdhënia bëhet edhe më e vështirë kur mendon se studentët i përgatit për një realitet ku s’ka asnjë sistem për artin. Një realitet në të cilin hapësirat bëhen gjithmonë e më të ngushta prej drejtimeve pa vizion, e me një komunitet apatik prej vitesh, që nuk lufton për atë që meriton.
Të bësh artistin në një vend ku pavarësisht arritjeve, punës, karrierës, financiarisht je gjithmonë në kufij të mbijetesës. Kjo e bën të vështirë zgjedhjen e artistit të ri, për të qenë shtysë për ndryshim, në një kohë kur idhujt e tyre kapërcejnë vështirësi mediokre, vështirësi financiare, vështirësi që vijnë nga injorimi e injoranca.
Për artistin e ri e të pjekur, e ardhmja është thjesht një art lokal, në hapësira të ngushta, edhe pse gëlojnë emrat e autorëve e mentorëve të huaj. Në Shqipëri, bashkëkohësia është ende larg në teatër, edhe pse në shumë fusha të tjera ka mbërritur disi. Në një kohë kur teatri duhet të jetë avangardë, dhe ne jemi ende tek mundësia e punësimit. Ndaj, përfundimin se sa e vështirë është të jesh midis artistes në teatër dhe pedagoges, e bëni lehtë.
Si arrin që t’i bësh studentët të mos brengosen nga jeta e vështirë e metropolit dhe të vazhdojnë të shpresojnë?
Mundem vetëm t’i jap shembullin tim, çdo ditë, në skenë e në sallë pune. Pjesa tjetër, varet nga ata vetë. Kanë zgjedhur e mund të tërhiqen përpara se të luajnë viktimën. Brenga është pjesë e jetës, çdokush zgjedh të luftojë për të mirën e shoqërisë ku jeton, apo të përshtatet pragmatikisht me realitetin.
Në se duan të bëhen artistë e jo të punësuar, s’duhet ta lënë pasionin, ëndrrën, thirrjen e tyre të brendshme (nëse e kanë), ndjeshmërinë sociale (nëse e kanë), në duart e askujt! Çdo brez ka misionin e vet shoqëror për kohën që jeton. Me këtë gjë ose jeton e ecën përpara, ose rri në pritje e ankohesh për “shiun që bie”.
Unë përpiqem t’i bëj me dije se asgjë nuk është e pamundur kur është pasioni dhe dedikimi, e mbi të gjitha, përulësia ndaj profesionit e punës.
Nuk e di sa je, por shquhesh për rebelizëm të shëndetshëm, antikonfomizëm, sinqeritet. Ke pasur kosto nga kjo?
Natyrisht, të vogla dhe të mëdha. Kosto sociale dhe profesionale. Por s’di të bëj ndryshe.
S’po numëroj asgjë, sepse s’dua të futem në grupin, tashmë, të madh të atyre që ankohen. Në fund të fundit, kam zgjedhur të jetoj kështu, edhe pse në Shqipëri kostot janë më të mëdha dhe absurde se në çdo vend ku ke të drejtën të rebelohesh pa u ndëshkuar! Dihet që shoqëria jonë, nuk e ka zhvilluar institucionin e tolerancës e mirëkuptimit.
Reminishencat e diktaturës duken qartë kur çdo shprehje e fjalës së lirë apo rebelimi, çdo mendim kritik apo mosdakordësi, ka të drejtën të jetojë deri në momentin të shprehurin e vet, pas kësaj ka pasoja si në nivelin social ashtu edhe në atë institucional.
Ne na pëlqen mendimi në grup dhe asnjë mendim individual. Këndvështrim individual nuk pranohet, madje luftohet, çuditërisht edhe ndëshkohet me mjete mediokre e jo dinjitoze. E duke jetuar në këtë realitet, natyrisht që paguan kosto absurde. Nuk pretendoj të kem të drejtë për gjithçka, por pretendoj të dëgjohem e të dialogoj në mënyrë qytetare.
E kur kam pasoja absurde prej rebelimit tim, kuptoj që ia ka vlejt!
Pune ? Dedikim ? Pasion ?
Dokrra. Arti eshte vetem talent. Talent per te kuptuar kohen dhe njeriun, talent per ta shprehur.
Ju “artistet” shqiptare jeni te kufizuar nga vetvetja. Kush ju pengon te beni art ne nivel nderkombetar… vecse vetja juaj ?
Nje regjisor australian iu pergjigj nje gazetari i cili i beri pyetjen se cfare ndryshimi dallonte midis artit australian dhe atij hollivudian; Talenti – iu pergjigj ai. Ne hollivud kane talent te bejne filma panboterore qe kuptohen, pelqehen dhe blihen nga e gjithe bota, ndersa ne Australi bejme akoma filma vetem per Australi. Neper bote filmat tane nuk do ti kuptonin.
PO jo moj Ema jo, se ne shqiperi te gjithe jane aipod, aiphon, poture te grisura, makaina te markes fundit, si qenkan artistat per mbi jetese, apo ja fut kot si ta kane futur ty.